Policia ka vënë nën pranga shtetasen Rexhina Çelhaka, 22 vjeçe, drejtuese e Land Rover-it, e cila u përfshi ditën e djeshme në aksidentin tragjik ku humbën jetën 5 persona, pasagjerë të një furgoni të dalë nga rruga, në timonin e të cilit që Bardhi Proda, 51 vjeç nga Saranda, një prej jetëhumburve.
Ndërkohë, dy shtetase italiane që ndodheshin në Land Rover e kanë mbrojtur miken e tyre shqiptare, e cila përfundoi e plagosur në spital.
“Furgoni e mori kthesën gjerë dhe shoqja jonë frenoi për të shmangur përplasjen, ndërsa makina rrëshqiti nga lagështia”, kanë thënë
Anna Cascavilla, 23 vjeçe, dhe Giulia Parimi, 22 vjeçe, të cilat gjithashtu mbetën të plagosura.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Qafën e Muzinës. Urdhri i ndalimit për 22-vjeçaren Rexhina Çelhaka ndodhi në mesnatë, nën pretendimin e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Megjithatë, ende nuk ka dalë shkaktari i aksidentit dhe hetimet vazhdojnë.
Viktima të aksidentit ishin; Olesander dhe Tetiana Fediaieva, 53 dhe 48 vjeç, nga Ukraina, Bardhi Proda (shoferi) dhe çifti i bashkëshortëve, Fiqiri e Dritë Korçari.
Fatmirësisht nga furgoni, i cili perfundoi ne humnere doli e gjallë Gerta Kaberdini, 25 vjeçe. /sarandacity.al/