Policia publikoi pamje nga ndëshkimet policore në fundjavë. Shpejtësia ka qenë më e zakonshmja, duke vijuar me konsumin e alkolit, garat, deri dhe ryshfeti.
“Janë pezulluar 198 leje drejtimi, nga këto 127 për shpejtësi tej normave të lejuara, 69 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4987 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga publikimi në rrjete sociale, i një videoje ku shfaqeshin dy automjete tip Nissan dhe Audi që po bënin gara shpejtësie në Unazë të Madhe, në kushte të errësirës dhe të fluksit shumë të lartë të automjeteve, duke u bërë rrezik potencial për jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të automjeteve, konkretisht drejtuesin e automjetit tip Nissan, shtetasin E. M. dhe drejtuesin e automjetit tip Audi, shtetasin M. Sh., të cilët i ka ndëshkuar administrativisht me nga 20.000 lekë të rinj secilin.
Gjithashtu, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese për përdorimin e alkoolit, në rrugën ‘Sadik Petrela’, kanë konstatuar një shtetas që po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale A. H., 22 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një kartëmonedhë me prerje 5000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e testimit për alkool. 22-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’”, thuhet ndër të tjera në njoftimin policor. /sarandacity.al/
https://youtu.be/cuSKeZRrAek