Duket se qeveria e ka pranuar dështimin me praktikën e ndarjes së plazheve me E-Albania, e cila çoi këtë sezon deri në përplasje për shezlonge, siç qe dhe ajo me armë në Velipojë, me pasojë disa jetëhumbje nga dy familje në konflikt.
Eshtë kryeministri Rama që ka paralajmëruar një tjetër strategji, që sipas tij nis me një ligj për vijën bregdetare. Ndërkohë, për plazhet paralajmëron tjetër plan nga i deritanishmi.
“Së shpejti edhe Ligji i Vijës Bregdetare, së bashku me planin e ri të administrimit të plazheve e të pastërtisë së zonave turistike”, shkruan Rama në fund të një statusi në lidhje me prishjet e fundit në Dhërmi.
Por a po i kthehet ai projektit të hartuar nga Auron Tare në lidhje me menaxhimin e vijës bregdetare?
Duket se po.
Tare ishte krijuesi dhe drejtuesi i parë i Agjencisë së Bregdetit, një dikaster i ri që do merrej me vijën bregdetare, por që hasi shumë problematika sidomos me pushtetet lokale në këtë vijë.
Njëherësh, ai hartoi projektin e menaxhimit të kësaj vije me metodën e ankandit, ku plazhet jepeshin më ankand, ngjashëm si në Greqi, me efekti financiar më të madh në arkën e shtetit, ku llogaritej dhe një menaxhim më i mirë si dhe shuarja e konflikeve mes privatësh.
Por ky projekt nuk u zbatua asnjë ditë. Tare u largua nga Agjencia pa e vënë në jetë projektin e tij, por që tani ka sinjale që Rama po kërkon ta provojë si realizim në terren. Me Taren apo jo, kjo varet nga ky i fundit. /sarandacity.al/