Për mjekun Petro Nako çdokush ka dëgjuar ndonjë histori. Mbahet mend nga Rreza, pellgu Delvinë – Sarandë e deri në Gjirokastër, si mjek i vegjelisë, i fukarenjve.
Ka lënë gjurmë se gjithë jeta e tij ka qenë përkushtimi i madh humanitar ndaj njerezve. Dhe ngeli simbol i një mjeku popullor me shpirt të gjerë, një figurë e spikatur e Minoritetit Etnik Grek.
Eshtë përjetuar në kujtesën e njerëzve në emrin e denjë që ka spitali. Nuk do të bëj biografinë e këtij mjeku kaq të madh, por po sjell një episod të vogël që i përket profilit të tij, që na thoshte kështu natyrshëm një shoku im.
Ndjehesha keq. Vizitohem te mjeku që ecën në gjurmët e mjekut të dikurshëm me nam, Petros Nakos, Niko Kuri. Nikon e kemi edhe deputet e na vjen keq qe s’do ta kemi përherë mes nesh. Pasi më kontrollon me kujdes, me thotë se kam ftohje, një bronshit i vjetër qe duhet të trajtohet me korrektësi. Dhe filloi të shkruajë receten. I thashë:
-Mos shkruaj jo, jo,..kam recetën e Petro Nakos!
Ai më pa me habi se mos bëja shaka se Petro Nako ishte tani vetem në kujtime tona. Buzëqeshi dhe më tha:
-Ja më thuaj…
..Ishte miku i babait tim. Gjithmonë me minoritarët kemi qenë si vellëzr dhe me lidhje miqesie. Fshatra tona çame kishin gjitone fshatrat minoritare. S’kishte gëzim më të madh për ne fëmijët dhe gjithë familje kur kishim mik doktor Petron.. Ç’mik them? Ai s’mund të ulej dhe do të mblidheshin shumë ta takonin, ta pyesnin. Dhe ai ishte aq i dashur i pandarë me kalin e tij.
Një ditë babai im u sëmur keq. Mori plevit të rëndë. Ai erdhi me një frymë. Pasi e vizitoi dhe babai priste recetën, ai pyeti:
-Ke verë?
Babai u zu ngushtë dhe ngeli i turpëruar se s’kishte të qeraste mjekun.
-Jo, nuk dua për vete. Mish pule dhe verë. Urdhëro edhe këto kokrra. Kaq tha dhe nxitoi se jashtë e priste një fshatar për një rast urgjent. Babai e shikonte tek dilte dhe i tha:
-Kështu më le?
-Bëji këto qe të thashë dhe javën tjetër po teproi ndonjë gotë, do ta pimë bashkë. Dërguam tek miqtë tanë në Sminec për verë e na dërguan me bucela. Babai e mori veten shpejt. Kur erdhi Petroja i tha me shaka:
-Nxore ndonjë lek të na qerasësh?
-He more mik, nuk sëmuren djemtë e agallarëve por të fukarenjve. Dhe psherëtiu….
Më bënte përshtypje kur dilte nga shtëpia me atë çantë të hedhur krahëve. Ndalej dhe na ndiqte ne fëmijët kur luanin. Na verente me kujdes të gjithëve. Shikonte ndonjë nga ne që qe ishte shendetlig, na bënte me dorë qe të afroheshim. Nxirrte nga çanta një kokërr na kërkonte të hapnim gojën dhe na thoshte
-Shpejt kaloje poshtë. Do kaloj prapë unë.
Dhe kështu i menduar ikte duke na bërë me dorë.
Ky ishte Petroja, mjeku i vegjëlisë, qe jeton akoma në kujtimet e brezave të rinj. Një humanist mbi të gjitha, mjek i paharruar. Ndaj i dashur Niko unë do të marrë recetën e Petros se ajo do t’më shërojë me shpejt…
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/