Vetëlargimi i Kristo Kaurit nga Administrata Gurma ishte një nga trishtimet e mandatit katërvjeçar të doktorit, tashmë “ish”, duke pasqyruar ato që nuk shkonin në Bashkinë e tij. Dhe ndryshe nga një erë largimesh aktuale përshëndetëse të moshës së tretë nga punët e qytetit, ndërmarrë nga i riu Olti Çaçi, eksperti i pashok i mjedisit duhet rikthyer qoftë dhe simbolikisht, për të treguar se i afti nuk ka moshë, aq më tepër kur gëzon dhe një integritet të spikatur publik.
Kristo Kauri në fakt është ende i ri në dëshirë e aftësi, për ta parë Sarandën të gjelbëruar e lulëzuar si dikur, paçka ndërtimeve të egra, si çdo dëshironte pa dyshim ta shihte çdokush sqimtar, sarandiot apo jo, përfshirë dhe atë që tashmë është në krye të qytetit si kryebashkiak i ri.
Kristo Kauri është një aset njerëzor i pazëvëndësueshëm i një projekti të mundshëm ambicioz për ta “mbuluar betonin” e grykësisë pa fre me sa shumë pemë e lule, nëse do ketë një të tillë. Dhe në fakt duhet të ketë. Nuk mund të thuhet se nuk ka patur mbjellje pemësh në administratat e mëparshme, dhe në atë Gurma, por jo si një projekt i plotë masiv, me bazë një studim të mirëfilltë mjedisor në nivel ekspertësh, i cili të qe impozant, gati revolucionar.
Saranda e ka tashmë këtë një domosdoshmëri në nivel emergjence, siç kurimet estetike shumëplanëshe në godina e ambiente publike.
Një nga të huajt që dikur do jepte një ide mbi kurimin e Sarandës në planin urban, prej ndërtimeve pa sens as në volum e as në linja, do qe mbjellja e pemëve shtatlarta edhe si maskë për shëmtinë ndërtimore.
Gjithsesi, kjo i takon më shumë se çdokujt një emri: Kristo Kauri. /sarandacity.al/