Përballja e radhës e Ramës me gazetarë nxorri dhe njëherë në pah krizën e këtyre të fundit.
Të enjten në Opinion, u konsumua sërish një model pyetjesh shtampë nga përfaqëuses të mediave në panel, ku njëri i është bërë audiencës si të jetë “burri i nënës me babë gjallë”. I paaftë të jape sinjale inteligjence gazetareske sapo hap gojën, ai njëherësh mban rekordin e asnjë shkrimi në 21 vjet. Megjithatë, ka privilegjin të jetë i përhershëm me status “analisti” në studio debati, ndonëse pra nuk i njihet asnjë analizë në karrierë.
Por çfarë i karakterizoi të gjithë? I karakterizoi ajo që ishin të gjithë njësoj në llojin e pyetjeve e qasjeve, të cilat, prej përvojave të shumta të përballjeve me Ramën nuk duhej të ishin. Nuk duhej të ishin, pasi pos që u dihen përgjigjet nga ana e të parit të qeverisë, nuk përbëjnë dhe ndonjë interes për publikun.
Çfarë i duhet publikut se si i zgjedh ministrat Rama, çfarë i duhet publikut se si funksion PS-ja me Ramën. Thënë për krahasim: Çfarë i duhen blerësit të një makine aspektet e imëta inxhinierike në motor. Ai mjaftohet me ca të dhëna bazë, performancën në ecje, komoditetin dhe kaq.
Që do të thotë: ajo çfarë opinionit i intereson të dijë nga Rama, për të cilin gazetarët duhet të jenë zëdhënësa të njerëzve të thjeshtë, janë krejt çështje të tjera, gati aspak të cekura në debat.
Kur gazetari i drejtohet të parit të qeverisë në vetën e parë, duke thënë se “Mua më intereson…”, ose “Jam i interesuar…”, ai s’është më gazetar. Do ishte më e ndershme të qe kasap.
Ca pyetje që mund t’i ishin bërë Ramës së fundi, në emër të opinionit, pra njerëzve, atyre që prekin çdo ditë efektet e qeverisjes:
Si e shihni të ardhmen e afërt apo të largët të atyre qyteteve që po treten nga ikjet?
Deklaruat ditë më parë se në 2025 nis rikthimi i shqiptarëve: pse dhe si do ndodhë kjo?
Pas 8 vitesh në qeverisje, a është bërë Shqipëria një vend më i drejtë?
Si e shpjegoni zhgënjimin në masë të njerëzve nga Rilindja?
Nga pikëkëpamja infrastrukturore Shqipëria sigurisht është më e mirë, por pse njerëzit janë më të dëshpëruar apo më të mllefosur se dje?
Kush janë ata qeveritarë lokalë që po shkëlqejnë në qytetet apo zonat përkatëse?
Cili është morali më i spikatur i qeverisjes suaj, me tregues realë e të prekshëm pas 8 viteve? /sarandacity.al/