Para katër vitesh bëhej ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar nderi i Mesopotamit’’ pas vdekjes, mësuesit të palodhur të dijes dhe aktivistit për mbledhjen e trashëgimisë folklorike të Minoritetit Etnik Grek, Stavro Kristos.
Çertifikatën e mori djali i tij i madh, Foti. U përlot dhe falenderoi për vlerësimin që i bëhej babait të tij.
Kujtoi rrugëtimin e veshtirë në ato kohë mundimesh në fshatrat e Vurgut.
Kujtoi se sa krenar e ndjente veten kur shikonte si e respektonin dhe e nderonin babanë e tij në të gjitha fshatrat ku ai punoi, por edhe kur i kërkonin këshilla dhe ndihmonte levizjen amatore në fshat duke gjurmuar për këngët dhe vallet burimore.
Ai nuk u ndal vetëm te kalvari i gjatë i veprimtarisë shkollore ku ka qenë i shkëlqyer, dhe te fakti se studioi në Janinë e Athinë, por i kthyer në fshatin e tij të lindjes ku punoi edhe punë bujqësore.
Në 1945 u emërua mësues ku punoi me përkushtim. Kishte dobësi për gjyshin e tij, që u rrit më shumë me të, patër Nikollas Papanikollau, i cili mblodhi mijëra firma për gjyqin e Hagës me qëllim që minoriteti grek të shkruante dhe të mësonte gjuhën amtare.
Detaji më i bukur që kujton Foti është ai valixhes së zezë, të cilën e mbajti sekret për 15 vjet. Ai ishte “thesari’’ i tij kur u kthye me studime nga Athina. Aty kishte vepra filozofike dhe letërsi artistike nga korifejt grekë. Atë e ruante si sytë e ballit dhe i lexonte në fshehtësi. Mirëpo dikush nga “vigjilentët e Partisë” e kallëzoi.
Ia kishin vënë syrin se kish studiuar në Greqi dhe duhej të ishte në survejim.
Na thirri i ‘madhi’ i Komitetit të Partisë. Bashkë me babanë edhe mua. Ndofta si fëmijë mund të tregoja për sekretet e babait. Gjithë problemi qendronte të zbulonin çfarë fshihte ajo valixhe.
‘Ke një valixhe të zezë në shtëpi? Ç’ke aty brenda?’
Babai i dolën djersë.
‘Gjërat e mia personal’, iu gjegj.
‘Mos ke libra grekë të ndaluar?’
‘Jo, jo’, -..u nxitua babai duke më hedhur një veshtrim sikur më lutej të mos tregoja gjë se ishte e rrezikshme.
‘Librat i ka në tavolinë dhe në një raft të vogël”, fola unë me nxitim për t’i ardhur në ndihmë babait. Nuk e mbaj mend çfarë i tha tjetër, por në fund i tundi gishtin:
‘Ki kujdes. Të paralajmërojnmë. Vëri gishtin kokës’.
U kthyem të heshtur në shtëpi. Babai e kuptoi dhe me dhimbje të madhe, fshehurazi i dogji bashkë me valixhen. Pastaj u mbyll në vetvete.
Pasditeve mirrte një kallam me grep, një fletore dhe anës lumit. Shok tani kishte lumin. Me të bisedonte. Mblidhte këngë popullore se ishte pasioni i tij, shkruante për tradita dhe …gjithmonë i heshtur.
Kur u formua OMONIA, iu çel fytyra. I ulur në radhë të parë të sallës, përballë kryetarit Andrea Zarballa, e mori fjalën i pari:
‘Tani mund të flas i lirë. Vetëm më vjen keq për valixhën, thesarin tim, që nuk e kam. Aty gjeja ngushëllimin tim’.
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/