Presidenti Meta, edhe pse i shkarkuar nga mazhoranca por ende në detyrë, ka dekretuar pa asnjë vonesë proceduriale me sfond politik, Ramën si kryeministër.
Shkresa për dekretin e Ramës, iu dorëzua pak ditë më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri. Për ironi, ky i fundit ishte ndër më të sulmuarit e Metës gjatë fushatës.
Por duket se precedenti “Berisha” ka dhënë efekt te Meta, ku përballë çdo hapi janë amerikanët.
Kujtojmë se me mandatimin e kryeministrit nga Presidenti, Rama i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin qeverisës dhe emrat e ministrave parlamentit.
Pas miratimit në Parlament, kryeministri i dërgon Presidentit për dekretim ministrat, i cili duhet të shprehet brenda 7 ditëve.
Dekretet e miratuara nga Presidenti kalohen sërish nga Kuvendi në një afat 10 ditë. Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen para Presidentit. /sarandacity.al/