Ajo që i çuditi të gjithë, sidomos bashkëfshatarët e Mihal Shanit nga Livina, ishte ardhja e tij, pra e “amerikanit” në fshatin e tij të lindjes.
Jo thjesht për t`u shmallur por të kaluar pjesën tjetër të jetës qe i kish ngelur.
Ai nuk pyeti për bandat dhe ferrin këtu në Shqipëri me fërshëllima kallashnikovi, me banda që plaçkitnin.
Ishte viti i mbrapshtë i 97-tës. Ai, me “prikën” që solli nga Amerika, u ngjit në fshatin e tij të lindjes. Para se të futej ne shtëpi, u ul në gjunjë dhe duke u zvarritur në shkallë, puthte çdo prag me një mall të patreguar.
Po kush ishte ky njeri, kush ishte Mihal Shani?
Nuk u pajtua me regjimin komunist. Arratisja e tij ishte shpëtimi. Ishte viti 1958. Familja e tij u internua. Bëri përpjekje duke u futur perseri në fshat, të tërheqë edhe familjen por nuk mundi.
Rrethi i hekurt ishte shtrënguar shumë. Dy djemtë tentuan të ndjekin rrugën e te atit. I dyti nuk ia doli dot. Stefoja u dergj në burgjet për 17 vite. Gruaja e tij e përballoi jetën me vajzat si burrneshë.
U ribashkuan në ’90-ën.
Në ’97-ën u kthyen të pleqërojnë në vendlindjen e tyre të dashur. Më bëri përshtypje ky veprim dhe vendosa ta takoj nga afër. Po kthehej nga një xhiro që kish bërë në lartësitë e një kodre në të dalë të fshatit ku fusha e Vurgut shtrihej si një pikturë me panoramë fantastike.
“Nuk ngopem dot me fshatin tim, sikur u rinova. Tani e shijoj jetën Ku ka gjë më të bukur se fshati yt?”. E shikoja tek fliste dhe sytë i mbusheshin me një dritë të çuditshme qe buronte nga thellësitë e tyre. Duke pirë kafen, më tregoi shumë episode dhe gjëra interesante nga jeta në Amerikë. Ahere i drejtova një pyetje që e mërziti:
“Siç më tregove, jeta atje ishte e bukur. Shumë njerëz këtu Amerikën e quajnë parajsë. Ti ike nga parajsa dhe erdhe..në ferr”, do të thoshja
“Jo, mor djalë. Ika nga ferri dhe erdha në parajsë. Po, po. I kam gjetur të gjitha atje në Amerikë, edhe qumësht dallëndyshe. Po dy gjëra nuk gjeta dot: nënën time dhe Livinën. Jam i lumtur tani që gjeta njerën. Dhe nuk shmallem dot. ..Duhet ta provosh që ta kuptosh se ç’është nëna dhe vendlindja”.
Nuk e treste dot dheu i Amerikës Mihal Shanin. Atë tani e tret dhe e mban në gji dheu i ëmbël i Livinës.
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/