Policia ka arrestuar dhe shtetasin Aleksandër Rica, pronar i Club Shqiponja, i cili qe prej orësh në kërkim nën akuzën e një ndërtimi pa leje në Kurorën e Sarandës.
“Vihet në pranga 49-vjeçari i shpallur në kërkim policor, për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’”, njofton Policia.
Para tij, Policia arrestoi të katër punëtorët që ai kishte punësuar aty.
“Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor, Aleksandër Rica, 49 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se ka kontraktuar 4 puntorë (të vënë në pranga nga Policia më herët), për ndërtimin e një objekti (vilë), po ashtu ky shtetas dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e autoriteteve kompentente dhe 2 objekte të tjera, të ndërtuara po në vendin e quajtur ‘Kurora e qytetit’, Sarandë, e cila është zonë e mbrojtur.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Aleksandër Rica, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak”, thuhet në njoftimin policer.
Por këto arrestime mund të çojë në të tjera sosh, ndoshta në nivel zyrtar, ku përfshihet Bashkia, INUK apo Kadastra.
Jepet e kuptuar kjo në një fragment të deklaratës policore, ku thuhet: “Vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë përgjegjësi për mosverifikimin e ndërtimeve dhe pronave, në proçes legalizimi, të këtij shtetasi, në një zonë të mbrojtur, të qytetit të Sarandës”.
Me ç’kuptohet, Aleksandër Rica po ndërtonte vrullshëm në zonën e mbrojtur.
“Evidentohet dhe 2 objekte të tjera të ndërtuara pa leje, po në atë zonë, nga ky shtetas”, thuhet në njoftim. /sarandacity.al/