Kanë vijuar prangosjet në Sarandë nën akuzën e “ndërtimeve pa leje”, ku një ditë pas arrestimit të bujshëm të 5 personave, mes tyre katër punëtorë, radhën e ka patur një 51-vjeçar, për një ndërtim në Ksamil.
Njoftimi policor thotë se “Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane dhe ato bregdetare shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë në bashkëpunim me IVMT bashkia Sarandë, kanë konstatuar në lagjen nr.1, Ksamil, një objekt të ndërtuar pa leje.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit A. C., 51 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e autoriteteve kompentente, brenda vijës së verdhë, 1 objekt me konstruksion gipsi, në lagjen nr. 1, Ksamil.
Materialet në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’”. /sarandacity.al/