Peshkimi do të përfshihet në masat mbështetëse të Programit IPARD III, njofton ministrja e re e Bujqësisë, Frida Krifca.
“Në programin IPARD III, për të cilin do të marrim akreditimin shumë shpejt dhe brenda vitit 2022 ky program fillon zbatimin, do të përfshijmë në mbështetje edhe sektorin e peshkimit”, thotë ajo.
Sipas saj, në programin IPARD III, qeveria shqiptare rrit vlerën e financimit në 146 milionë euro, duke e çuar në një stad të ri nivelin e investimeve në bujqësi dhe të mbështetjes së fermerëve dhe sipërmarrjeve rurale me grante, në kushtet kur fermerët shqiptarë kanë mësuar të aksesojnë fondet e BE-së.
Dhe, lidhur me mbështetjen për peshkimin, Krifca sqaroi se “mbështetja për sektorin e peshkimit do të vijë nëpërmjet një sistemi fiskal, ku TVSH-ja zerohet për 27 zëra doganore të peshkimit, nga rrjetat e peshkimit, motorët etj”.
“Synimi është rritja e kuotave të eksporteve drejt BE-së për açugen e përpunuar. Industria përpunuese e peshkimit është pjesë e programit IPARD III me 146 milionë euro, gjë që nuk ka qenë më parë.
Ndërkohë që synojmë forcimin e infrastrukturës portuale përmes investimeve në merkatot e peshkut, akuakulturë dhe nxitjen e kultivimit të troftës që është mjaft e kërkuar nga tregjet e huaja”, sqaroi znj. Krifca.
Sipas treguesve, në 7-mujorin e vitit 2021 eksportet e produkteve të peshkut janë rritur me 29,3 %, raporton ATSH. /sarandacity.al/