Nuk dihet se kush e ka patur idenë e një dekori me çupërlina pas Berishës në “Foltoren” e tij anti-Basha, të famshme tashmë për nga lloji i çmendurisë politike, por parë si normale në raport me njeriun që e përcjell.
Pra, ka qenë ide e Berishës për ta sensualizuar passhpinën e tij, apo dikush tjetër ia ka sugjeruar?
Me gjasë nuk është Berisha. Lideri historik i PD-së nuk është njohur kurrë për fantazi në komunikimin publik. Nuk është njohur as për ndonjë prirje për ta kuruar veten. I ka pëlqyer të jetë ashtu, origjinal, siç në fakt është, në një lloj rëndomësie, si shfaqje e një katundarie të pashërueshme si trashëgimi antropologjike. Pra, dikush tjetër do ia ketë sugjeruar e ky e ka pranuar.
E ka pranuar ndoshta nga një vetëdije përvuajtëse se mosha e thyer ka nevojë për një zbutje vizuale. Dhe për këtë janë zgjedhur ndoca si modele për të qenë pas tij.
Nëse vihen re, janë krejt të ftohta. Pra nuk ka ndonjë dilemë se prania e tyre nuk ka asgjë politike te ato vetë. Kur flet burri para tyre, në mimikat e tyre nuk ndodh asgjë. Vetëm ulje-ngritjet e qepallave i dallojnë nga të qënit manekine. Ndryshe do kishte qënë nëse do trajnoheshin të merrnin fjalën. Do e kishin luajtur më mirë rolin e rinimit të burrit që kanë përpara. Mister është dhe kjo pra: pse janë zgjedhur të jenë thjesht manekine dhe kaq?
Ndaj, nëse do ia vlente vërtet një pyetje për t’ja bërë Berishës në “Foltore”-t e tij, është: nga vijnë ato çupërlina pas teje, kush i ka sjellë, pse janë kaq afër e kaq larg teje? /sarandacity.al/