Një tjetër rast i ngjashëm me Tiren e “Shefqet Ndroqit” është zbuluar së fundi në QSUT.
Një infermiere që shërbente tek Psikiatria dhe një shitëse dyqani janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohen se vidhnin kartat e identitetit të pacientëve për të blerë pajisje elektroshtëpiake me qëllim që t’i shisnin në dyqan.
Infermierja është Elisabeta Bardhollari, ndërsa shitësja Orjada Hoxhës. Kjo e fundit punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake.
Hoxha i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H., i cili është proceduar penalisht, dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Operacioni policor i koduar “Elektro” është finalizuar nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe u bë ndalimi i dy shtetaseve të identifikuara si Elisabeta Bardhollari, 39 vjeçe dhe Orjada Hoxha, 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.
Policia ka sekuestruar pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë. /sarandacity.al/