Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dha garanci se konsumatorët familjarë dhe biznesi i vogël, të cilët do të preken nga kriza energjetike globale, do të mbrohen nga qeveria.
“Kryeministri do të shpalosë vetë masat për mbrojtjen e qytetarëve dhe sipërmarrjes së vogël, por në nevojë të informimit publik dhe të qetësimit të kësaj kategorie, ne do ta mbrojmë konsumatorin familjar dhe sipërmarrjen e vogël nga kriza energjetike, rritja e çmimeve dhe rritja e kostove për shkak të këtyre çmimeve”, tha Ahmetaj pas një mbledhje qeverie pa Ramën.
Ai tentoi dhe njëherë të shpjegojë se ç’po ndodh globalisht, me pasoja dhe lokale.
“Situata energjetike në vend është konsekuencë e krizës energjetike globale. Ne fatmirësisht kemi zgjedhur 30 vite më parë të jemi në një ekonomi tregu ku ekonomia e hapur influencohet drejtpërdrejt nga lëvizjet globale të çmimit të mallrave apo shërbimeve e sidomos për mallrat të cilat janë të kuotuara në bursa apo të lidhura me prodhimin dhe nevojat për import siç është energjia elektrike.
Ju e keni parë se çfarë po ndodh në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike. Një kombinim tërësor faktorësh gjeopolitikë dhe komercialë, që përfshin që nga shtimi i kërkesës për energji për shkak të ringritjes ekonomike jo vetëm të vendeve të industrializuara por thuajse gjithë botës, apo për shkak të sjelljes së Rusisë, brenda karakterit gjeopolitik të çmimit të gazit, apo furnizimit të energjisë nga eolikët që është më e ulëta në 50 vite, apo dekomisionimit të centraleve të karbonit në Gjermani apo Spanjë, çmimet lëvizin në vazhdimësi”, vijoi ai.
“Sot Spanja e ka çmimin e megavatit 260 euro, dhe ndërkohë një pjesë e mirë e vendeve e kanë transferuar koston te konsumatorët. Kryeministri ka ngritur një grup ndërinstitucional që e drejton vetë për të menaxhuar ecurinë e situatës energjetike.
Vala e çmimeve ndërkombëtare prek edhe brigjet e Shqipërisë, por ne jemi të gatshëm që të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël”, deklaroi Ahmetaj. /sarandacity.al/