Kryebashkiaku Gurma ndau ambicen e tij që shetitoren e re të Sarandës ta kthejë dhe në një skenë eventesh artistike, pse jo, duke sjellë aty dhe vetë TOB-in, ndër institucionet më prestigjoze të kulturës shqiptare.
Siç thuhet nga Bashkia, kjo u diskutua mes tij dhe drejtoreshës Zana Çela, e pranishme në zyrën e Gurmës.
“Atje ku mbaron një sezon, atje nis puna për sezonin pasardhës.
Me të njëjtën strategji Bashkia e Sarandës dhe Kryetari Adrian Gurma, programojnë të punojnë edhe për projektet artistike. Ky ishte edhe fokusi i bisedës mes tij dhe drejtores së TOB, Zana Çela.
Kryebashkiaku Gurma tregoi për eksperiencën e kësaj vere në fushën e produkteve artistike që u ofruan, si pjesë e paketës turistike, duke e kthyer shetitoren e re në skenë dhe hapësirë koncertesh dhe eventesh.
Ai tha se Saranda ka avantazhin klimatik për të qenë pritëse eventesh jo medoemos në stinën e verës dhe se po ndiqen politika nxitëse për muajt joverorë.
‘Kur një qytet turistik, u shpreh ai, e pasuron ofertën edhe me evente artistike, ajo bëhet e parezistueshme’, thuhet nga Bashkia në faqen e saj.
“Drejtorja Zana Çela tha se pas rikonstruksionit të TOB, hapet një epokë e re, me shumë sfida. Një prej tyre është sfida që arti i vërtetë të shkojë live te spektatori, sado larg nga metropoli qoftë ai, duke u prezantuar me paketë të plotë, me shfaqje të formatit të madh apo të vogël, me shfaqje teatri, opere dhe baleti, të cilat nuk duan medoemos salla të mbyllura, por jepen edhe në skena të hapura, që Saranda tashmë i ka si askund tjetër dhe ku ka më mirë se ato të jepen open air, përgjatë shetitores. Kryebashkiaku Gurma u shpreh entuziast për këtë bashkëpunim dhe se biseda është në kohën e duhur, për ta programuar mbështetjen me buxhetin e vitit 2022, që ka hyrë në proces përgatitor. Ai shprehu bindjen se sa më cilësore të jenë eventet artistike, aq më shumë shtojmë destinacionet turistike”, detajon Bashkia.
Gjithashtu, Gurma ka kërkuar dhe një ndihmë nga gruaja që drejton TOB-in.
“Kreu i Bashkisë Gurma ka kërkuar asistencë profesionale nga TOB për t’i dhënë rrugë idesë së tij për rigjenerimin e burimeve njerëzore në bandën frymore të qytetit dhe sidomos për projektin e ngritjes së orkestrës frymore të fëmijëve”.
Dhe më kryesorja, njeriu i parë i Sarandës i shpalosur znj. Çela bastin e tij:
“Ky ka qenë rasti kur Adrian Gurma tregoi edhe për sfidën e tij në krye të Bashkisë: në fund të mandatit, Saranda të jetë edhe destinacion i dimrit”, shkruhet nga Bashkia. /sarandacity.al/