Protagonist i një ngjarjeje në qendër të Athinës, e cila pati për pasojë dhe plagosjen e një polici grek, është një i ri nga Çuka, i njohur dhe për një plagosje në Sarandë në 2015-ën.
Klaudio Budo, 35 vjeç, vodhi automjetin e një zonje, e cila kish lënë celularin aty. Dhe ishte pikërisht celulari, GPS-ja e atyshme, që ia pamundësoi të kishte sukses ne vjedhje.
Në 08.30 të mëngjesit, në rrugën “Leoforo Varis”, Budo vodhi një Peugeot me targa ITE 7218. Drejtuesja e mjetit kishte zbritur për një moment, duke u ndalur te një kioskë aty pranë dhe e kishte lënë makinën ndezur. Budo ka hipur me shpejtësi dhe i ka dhënë gaz.
Fakti që pronarja kishte harruar telefonin brenda, e ka tradhtuar të riun. Përmes GPS të telefonit, policia ka zbuluar vendndodhjen e automjetit të vjedhur.
Ai është pikasur disa orë më pas i parkuar në kryqëzimin e rrugëve “Marinis” dhe “Aristotelous”. Policia ka pritur deri sa aty është shfaqur Budo.
Sapo ka ndezur automjetin e vjedhur, atij i është bërë thirrje nga policia. Por 35-vjeçari sarandiot ka shtuar shpejtësinë dhe ka goditur motorin e policisë, duke plagosur njërin prej efektivëve. Në këtë moment, këta të fundit kanë hapur zjarr dy herë me pistoletë, duke e plagosur në këmbë autorin.
Në Greqi, ai akuzohet për “trafik droge” dhe “vjedhje”. /sarandacity.al/