Më i njohuri delvinjot në debatin publik, specialisti i arsimit Ndriçim Mehmeti, opozitar me qeverinë, i trembet pasojave pandemike në arsim, pasi sipas tij situata nuk i mirëmenaxhua nga qeveria.
“Pandemia thelloi diferencën në shkollim me dy vite më pak mes zonave rurale dhe atyre urbane, duke bërë që në periudhën e pandemisë, arsimi të ishte një privilegj i njerëzve në gjendje të mirë ekonomike dhe jo një e drejtë themelore dhe kushtetuese e individit”, tha së fundi ai.
Sipas tij, edhe në situatë normale nuk mund te thuhet se arsimi ka shënuar rritje.
“Ne jemi ndër të paktat vende që nuk ofrojmë transport dhe ushqim në shkolla. Shkollat tona janë thjesht kazerma ushtarake, që nuk ofrojnë asgjë veç dijeve të cunguara.
E nëse kërkojmë të ndryshojmë diçka, duhet filluar me buxhetin e arsimit, i cili duhet të jetë të paktën 5% e PPB”, arsyeton ai.
“Ka shumë për të thënë për reformimin e shkollës, po kjo nuk mund të bëhet duke dubluar punën e institucioneve, sikundër ndodh në këtë mandat, ku kemi Ministri të Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministri Shteti, për fëmijët dhe rininë”, vijon Mehmeti.
“Në vend të shtimit të ministrive do të ishte më mirë rekrutimi i njerëzve të aftë, konsultimet e gjera me aktorë dhe faktorë që merren me arsimin në Shqipëri dhe që e duan shkollën shqiptare, si dhe me aktivizimin e të gjithë institucioneve të varësisë që kanë për qëllim sigurimin e mbarëvajtjes dhe cilësisë në arsimin shqiptar.
Për sa kohë që të gjitha këto dhe shumë të tjera nuk ndodhin, ne do të vuajmë pasojat e rënda të keqarsimimit të shumë brezave në vendin, pasojat e të cilave, do t’i ndiejmë në 10-20 vitet e ardhshme”, thotë specialisti Mehmeti. /sarandacity.al/