Një artikulim i fjalës “llum” në një mbledhje të tensionuar grupi në PD, i ka turbulluar dhe më ujrat e trazuara në këtë forcë.
Ka qenë kryetari Basha ai që me këtë fjalë ka cilësuar eksponentë në të partisë së tij.
“Qeverisja 8-vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin”, citohet të ketë thënë Basha.
Ka reaguar ai që është kthyer tashmë ndër kundërshtarët më të ashpër të tij si një berishist i thekur, Flamur Noka.
“Shqipëria nuk ka pasur në këto 30 vite demokraci një kundërshtar që t’u thotë ‘llum’ anëtarëve të PD-së. Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’. Askush nuk ka guxuar, as Fatos Nano as Edi Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si ‘llum’. Askush nuk ka guxuar, përveç zotit Lulzim Basha”, tha Noka.
I ka ardhur menjëherë përgjigja nga partia e tij, ose thënë ndryshe nga Basha.
“Përpjekje të dëshpëruara dhe, fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje.
Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën llum. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personale dhe të pushtetit të Ramës”, thuhet në reagim, vështirë të kuptohet se për këtë është konkretisht fjala. /sarandacity.al/