Në situatën që vlon në PD, deri tani më shumë në qendër, ku kjo forcë po testohet në rivalitetin e pamendueshëm deri dje mes Bashës dhe Berishës, efektet kanë nisur dhe në bazë.
Kështu, në PD-në e Sarandës përflitet për një fushatë mbledhje firmash pro-Berishës. Janë firma të cilat duhet t’i shkojnë Kuvendit Kombëtar me qëllim shkarkimin e Bashës. Këto firma, pra mbledhja e tyre dhe më pas thirrja e Kuvendit, janë synime të “Foltores” së Berishës. Ndërkohë siç dihet, Basha ka refuzuar ta mbledhë Kuvendin, duke e trajtuar diçka të tillë si anti-amerikanizëm të palejueshëm.
Po kush është njeriu që po udhëheq këtë proces në PD-në e Sarandës?
Fjala është për ish-Sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani, ish-deputet dhe drejtues politik i PD-së në Sarandë, tashmë një ndër zërat më të fortë anti-Basha, qyshse ky i fundit e zëvëndësoi me skifterin politik Gazmend Bardhi.
Pra, edhe pse prej më shumë se katër vitesh nuk ka asnjë pozicion politik impaktiv, Ristani ka arritur të mobilizojë një grup që po merret më mbledhje firmash brenda delegatëve të Sarandës, që thuhet se janë 60 përqind deri më tani, pra firmosës anti-Basha.
Situata ngjan e komplikuar nga fakti se Ristani ka qenë një ndër mbështetësit e Ina Zhupës, pra si deputete e Sarandës, ndërkohë që kjo e dyta njihet si përkrahëse e Bashës.
Por cili është roli i Bujar Leskajt në këtë zhvillim, pra si drejtues politik i PD-së në rang Qarku?
Edhe pse u pa në “Foltoren” e Berishës, Leskaj nuk ka preferuar të shpallë ndonjë rreshtim të tij krah këtij apo atij, duke i qëndruar larg procesit të mbledhjes së firmave. /sarandacity.al/