Avokati i njohur sarandiot Ilir Nikolla, është ndër të parët që ka reaguar kundër hartës së re gjyqësore të hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, e cila shkrin 10 gjykata e rrjedhimisht 10 prokurori, te të cilat përfshihet dhe Saranda.
Kjo nuk duhet të ndodhë, pasi është në dëm të komunitetit, arsyetoi Nikolla në një prononcim për Tv Report. Sipas tij, as qeveria e as parlamenti nuk duhet ta miratojnë këtë hartë të KLGJ-së.
“Gjykata e Sarandës është një gjykatë që ka rreth 3 mijë çështje gjyqësore civile, rreth 2 mijë çështje gjyqësore penale.
Pas këtyre janë njerëz, të cilët nëse shkojnë në Gjirokastër, unë mendoj që kjo zgjidhje është e pamundur për ta. Shtohen hallet e tyre, problematikat e tyre. Dhe kjo reformë nuk ka pasur si synim këtë, por për t’i ardhur në ndihmë komunitetit. Ky transferim është në dëm të komunitetit. Ndaj vendimmarrja e qeverisë duhet të jetë absolutisht në kundërshtim me këtë propozim të KLGJ.
Gjykata e Sarandës duhet të mbetet në Sarandë sepse i shërben Sarandës, Delvinës, Konispolit, deri në Borsh“, argumentoi avokati. /sarandacity.al/