Kryeministri Rama shkoi dhe më tej në promovimin e satelitëve që do të ketë Shqipëria në hapësirë, vitin e ardhshëm siç tha ai, ku pas një mbledhjeje Kryesie në selinë rozë, pyetjes provokative “Ujë 24 orë apo satelitë….?”, iu përgjigj:
“Po t’i them unë që satelitët do lidhen dhe me ujin 24 orë çfarë do thoni ju? Të gjitha bashkë.
Nëpërmjet satelitëve do të kemi kontroll të përditshëm mbi të gjithë Shqipërinë dhe do të mund të identifikojmë çdo lloj ndryshimi apo ndërhyrje të paligjshme.
Do kemi kontroll të plotë dhe mjedisin duke identifikuar në kohë reale si vendgrumbullimet e mbetjeve apo ndërhyrjen në pyje.
Na duhet sy inteligjent që i tejkalon kapacitetet njerëzore. Dhe për identifikuar çdo ndërtim pa leje jo duke e lënë në rrjedhën e inspektimeve dhe duke u gjetur para një ngrehine që ka shkuar në kat të tretë.
Me dron inteligjent, kjo identifikohet të nesërme.
Kush cënon integritetin e Shqipërisë, do të ketë parasysh që po e sheh dikush tjetër që nuk korruptohet as kompromentohet dhe nuk gjendet në asnjë lidhje krushqie apo farefisi se është lart”, argumentoi i pari i qeverisë.
Reagimeve me të qeshura lidhur me këtë “të papritur” të tij, Rama iu përgjigj:
“Kini durim, qeshni sepse është shëndet dhe mirë ju bën. Shqipëria do të ketë satelitë dhe do t’i ketë shpejt për të forcuar kontrollin në të gjithë territorin.
Jo vetëm satelitë por edhe dronë inteligjentë për të çuar vendin në një nivel tjetër në aspektin e administrimit të territorit”, arsyetoi ai. /sarandacity.al/