Djalin e ndrojtur nga Livadhjaja do ta hutonte fillimisht kryeqyteti, Tirana. Duke ngjitur shkallët e Fakultetit të Mjekësisë, mendonte për sfidat qe e prisnin si mjek. Peshë të rëndë kish mbi supe. Kishte të bënte me jetën e njerëzve. I dukej ëndërr tek lëvizte auditoreve. Kishte marrë me vete urimet e bashkëfshatarëve e të dashurve të tij, miqve. A do t’ua shpërblente besimin, shpresën si doktori i tyre? Këto do ta mundonin studentin minoritar Dhimitër Xhaferi, qe niste udhën e bukur por të veshtirë të profesionit human të mjekut.
Duhej pasion dhe studim këmbëngulës.
Këto nuk i mungonin Dhimitrit. Hutimit, ndrojtjes së parë te një djali periferik, që dhe gjuhën shqipe s’e kishte perfeksionuar aq mirë, do ta zinte etja për dijet, pasioni për mjekësinë. Në shpirtin e tij filluan të gjallonin ëndrra të guximshme. Adhurimi për duart e arta në kirurgji të profesorëve të tij Petro Cani, Besim Elezi, Luter Kreshpa, e vunë në mendime për të zgjedhur rrugën e tij në mjekësi. Ishte një degë e vështirë qe donte mjeshtëri, durim, dije, guxim, përqendrim maksimal, gjakftohtësi. Ai u fut kësaj ëndrre të guximshme. Krah dhe guxim i dhanë në praktikat që bëri në spitalin e Korçës, kryekirurgu Dr. Sotir Polena dhe ndihmësi i tij Dr. Leonidha Ikonomi, të cilët i besuan bisturinë e parë te pacienti. Pasioni, puna këmbëngulëse, duke mos u ndarë për asnjë çast literaturës bashkëkohore mjekësore, do ta bënin Miçon një kirurg të talentuar kudo që punoi në rrugëtimin e tij.
Figura e tij si mjek njeh ngjitje dhe pjekuri profesionale. Gjithmonë i pakënaqur nga vetja. Dora e tij tani duhet të bëj mrekulli, mendja t’i punojë shpejt, të kalisë durimin dhe gjakftohtesinë. Shpejt do të fitojë emër, do të fitojë simpatinë dhe besimin e njerëzve.
Shfaqja e siluetës së tij para sallës së operacionit u sillte besimin, kurajon pacienteve dhe të afërmve te tyre. Rrugëtimi është i mbushur me punë të palodhur, punë shkencore, përsosje e vazhdueshme si mjeshtër kirurg, halle, mundime, net pa gjumë, i lidhur shpirtërisht me dhimbjet, shqetësimet, gëzimet e pacientëve dhe të afërmve të tyre. Miço i pagjumi, Miço duararti, Miço kirurg i talentuar, Miço humani.
I ka thëne të gjitha Lluka Heqimi ne librin “Dr. Dhimiter Xhaferi, kirurgu i jugut-mjeshtër i madh”.
Rrugëtimi i tij i vështirë me pasionin për shkencën e kirurgjisë do t’i sjellë tituj shkencorë, do t’i sjellë përgjegjësi në poste drejtuese të spitaleve, do t’i sjellë tituj e dekorata mirënjohje e vlerësim të lartë nga dikasteret mjekësore dhe të pushtetit.
Por titullin më të madh ia dha populli, njerezit e thjeshtë. Është titulli më i bukur për Miçon,”Mjeku ynë”, “Kirurgu ynë i Sarandës”.
Nga pafundësia e episodeve të punës së Dhimitër Xhaferit, vjen një i tillë:
Ishte viti 97, viti i trazirave, i marrëzisë, i kallashnikovit dhe i bandave. Saranda e troditur gjer në palcë. Kirurgu Dhimitër Xhaferi i shqetësuar për jetën e njerëzve që bëheshin pre e plumbave. Nuk i shkoi në mendje të largohej në këto momente të vështira për qytetin. Njerëzit kishin nevojën e tij. Marrëzia që bridhte rrugëve me kallashnikovin, vriste e plagoste njerëzit. Dhimitri duhej të ishte pranë tyre. Një darkë vonë, në portën e tij katin e tretë u dëgjuan trokitje të forta. Doli siç ishte me pantofla e pizhama. Dy njerëz qëndronin me kallashnikovë dhe granata në duar
“Shpejt doktor, po na vdes njeriu ynë. O e shpëton o të vramë”.
Doktor Dhimitri ishte mësuar me situata të tilla. Nuk mendoi të kthehet prapa. Siç ishte, me pizhame e pantofla drejt spitalit, duke vrapuar pas atyre dy vetave qe kërcënonin me armë. Rrugë të frikshme të qytetit, të errëta, dhe spitali në gjendje të mjeruar. Një njeri i shtrirë në korridor, i plagosur në gjendje të rëndë. Doktor Miçoja i drejton në sallën e operacionit, e cila ishte katandisur si mos me keq. Duhej bërë puna shpejt me ato mjete rrethanore të pakta dhe bisturinë e tij. Rendësi kishte të shpëtonte njeriun. S’kishte kohë për analiza dhe shkaktarët. Një llambë e pamjaftueshme mbi kokën e të plagosurit ia vështirësonte punën shumë mjekut. Por mbi kokë i rrinin edhe dy personat që e shoqëruan të plagosurin dhe qq mbanin granata në duar gati për t’i hedhur. Ata afroheshin që të shikonin nga afër, dhe shpesh ia zinin dritën doktorit. Me qetësinë më të madhe Dhimitri u thoshte
“Ju lutem, pak majtas…më pengoni…”
Ata harronin e afroheshin përsëri, e hija e granatave pengonte kirurgun. Përsëri ai u lutej:
“Ju lutem, pak majtas…”
Dhe doktori ia doli me sukses operacionit .Tani duke marrë frymë i qetë po kthehej në shtëpi me pantoflat e pizhamet. Kishte shpëtuar një njeri. Ndofta nata mund të sillte ndonjë rast tjetër…
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/