Para 22 vitesh e nisi punën Dhimitër Miçi, agronomi mjeshtër, të ngre një fidanishte në Livadhja. Pa bujë e zhurmë, siç janë njerezit e thjeshtë punëtorë dhe të pasionuar. Ndonjë skeptik ka folur nëpër dhëmbë: “Ky s’ka parë hajër në Greqi, tani vjen këtu”.
Po e vërteta s’ishte ashtu. Dhimitri kish emigruar në Greqi. Dhe konkretisht në Larisa. Pasioni i agronomit e nxiti edhe këtu të mendojë për një biznes të tij. Mendoi për fidanishte, sidomos për ullinj duke parë përvojën e kolegëve të tij grekë. Ideja e tij nuk e linte rehat. Fillimisht iu duk tepër e vështirë. Sidomos kur nuk je në vendin tënd. Iu vu ëndrrës së tij dhe e realizoi.
Fidanishtja e tij prej 15 ha me një personel të kompletuar, filloi të japë rezultate të kenaqshme. Për 4 vjet puna i ecte mbarë dhe fitonte mirë. Por diçka nuk i ecte mirë dhe e mbrente përbrenda. Ta kishte këtë fidanishte në vendlindjen e tij. Atij i zihej. Këtë ëndërronte. Kjo po e bindte çdo ditë. Dhe e mori vendimin: ta transferojë në Livadhja.
Vështirësitë ishin të shumta, por vendosmëria, dashuria për vendin e tij, pasioni, e bëri që t’i kapërcejë.
Një ditë të bukur të 99-së, Dhimitri nisi punën e vështirë por të bukur të fidanishtes, që e ngriti me aq mund në Livadhja. Pa nuk i dëgjoi skeptikët. Atë, zgjimi dhe perëndimi e gjente mes llastarëve të pemëve të ardhshme. Ato ishin si fëmijë të vegjël që donin përkujdesje dhe dashuri. Dhe Dhimitri, biznemeni minoritar, derdhi gjithë mundin dhe dijet, përkushtimin te fidanishtja e tij. Tashmë kjo fidanishte është më e fuqishmja në jug të Shqipërisë. Gati gjithë republika dhe në disa raste edhe jashtë, furnizohet tek fidanishtja e Dhimitrit.
Duke parë sukseset, tani i harron vështirësitë dhe mundimet që ka kaluar edhe me burokracitë dhe indiferentizmin, si dhe asnjë përkrahje nga shteti.
Nëse i referohemi statistikave, 80% e prodhimit të fidanave, sidomos ullinjtë, tregëtohen nga Mallakastra e poshtë. Prodhimi i fidanëve të arrave i hapi rrugë për në Fier, Tiranë, Shkodër.
“Para pandemisë kishim arritur të tregëtonim mbi 21 mijë fidanë, kurse gjatë asaj u zvogëlua trefish. Këtë vit e kemi nisur mirë dhe ka një interesim të madh, sidomos për fidanët e arrave. Ne, bashkë me fidanët japin konsulencën tonë, jemi gjithmonë në bashkëpunim me fermerët që preferojnë prodhimet tona, i ndjekim me përparësi dhe jemi të kënaqur si ne ashtu edhe ata”.
Cila është e veçanta që na thotë Dhimitri? Arra amerikane “Kaliforni”. “Ka një interesim për këto fidane dhe kemi kërkesa të shumta”, thekson ai.
Dhimitri shpjegon se sot në treg kërkohet kjo arrë me “bukë” të bardhë. Arrave me “bukë” të zezë po u kthehet krahëve dhe plantacione të tëra në Greqinë Veriore e në vende të tjera zevendësohen me këto që arrijnë një prodhimtari 50-60 kilogram për rrënjë dhe kanë kurorë të vogël, pra, zënë një sipërfaqe të vogël dhe janë të leverdishme si dhe cilësia e lartë.
Mjeshtri i fidanëve thotë se i jep ëendësi fidanëve të pemëve të frutave të thata si arrave, fistiqeve, bajameve, lajthive. Pse? Sipas tij tregu botëror në këto fruta është defiçit dhe ka shumë kërkesa.
Shumë fermerë mund të investojnë këtu dhe të kenë fitime të mira. Po kështu, te fidanët e ullinjve që është baza e fidanishtes, ai thotë se i jep me shumë vlerë fidanëve si spanjollë, italianë, grekë dhe të vendit që janë për vaj. Sekretin na e nxjerr në fund: “Insistoj te ulliri kokërrmadh i Halqidhiqisë”.
Dhe duke buzëqeshur thotë shprehjen e tij që ka të bëjë me ullirin dhe përfitimet e tij: “Ulliri për kripë të mbush xhepin me lekë”.
Dhimitrit i kanë renduar vitet mbi supe. Shtëpia e tij është fidanishtja. Këtë shtëpi po ia beson djalit të tij. Jo vetëm dijet, por ai i ka rrënjosur pasionin dhe dashurinë për vendlindjen e tij dhe tokën mëmë.
Përvoja e tij ngjan me atë të Dhimo Kotes s Xarës. Edhe ky i fundit agronom, la Greqinë për ta begatuar tokën në vendin e tij(siç).
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/