Kreu demokrat Basha po investohet në një kauzë të re, në një përpjekje për krijimin e një profili të ri politik, duke tentuar të imponohet në mënyrë amnezike (harrestare); pra, si jo një emër 16 vjet në politikë, disa herë ministër e një herë kryebashkiak, por si një i sapoardhur, me mendim, vizion e platformë të re politike.
Ai po bën një provë ndoshta të rishpikjes së vetëvetes, duke marrë flamurin e pastrimit të politikës 30-vjeçare, siç thotë, nga llumi dhe krimi.
“Është interesi i të gjithë shqiptarëve, i socialistëve dhe i demokratëve të thjeshtë, që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz që këto 30 vjet pavarësisht siglës politike që kanë mbajtur, nganjëherë e kanë ndërruar, nganjëherë kanë dalë me sigla të reja, kanë përdorur politikën për tu pasuruar paligjshmërisht dhe ç’është më e keqja, kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar.
Kanë shkatërruar konkurrencën në treg që është themeli i zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, duke fuqizuar një grusht njerëzish, vetëm e vetëm sepse ndajnë me ta favore, privilegje, pushtet dhe para, në kurriz të qindra-mijëra sipërmarrësve të ndershëm”, shkruan ai së fundi në rrjete.
Por çfarë i mungon kësaj kuaze për të qënë e besueshme?
Një inisiativë e thjeshtë por tejet kuptimplotë: nisja nga vetja. Që do të thotë se duhet të kërkojë ose rikërkojë hetime ndaj vetes për çdo akuzë që i është ngritur. Më kryesorja është ajo e fondeve për Rrugën e Kombit, në kohën që ishte ministër i Transporteve. Është një dosje abuzimesh e përgatitur jo nga opozita por nga një ekspert fushe, inxhiner Arben Meçe.
Siç dihet, Basha iu shmang ballafaqimit me drejtësinë për këtë dosje, duke bërë që të mbyllet me procedurë.
Është e qartë prej vitesh se një ndër handikapet më të mëdha të profilit politik të Bashës është besueshmëria e ulët ndaj tij, kjo dhe nga fakti i një ligjërimi skematik, shabllon dhe klisheist, me mungesë të theksuar inteligjence dhe finese mendimi. Pos kësaj, i mungojnë aktet reale, të prekshme dhe me impakt në publik. /sarandacity.al/