Qeveria shqiptare ka miratuar paketën e ndihmës për familjet në nevojë, që do të futet në fuqi në janar të vitit 2022.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar vendimet e qeverisë për ndihmën e familjeve në nevojë, që përfitojnë asistencë. Paketa përfshinë edhe fëmijët jetimë dhe gratë e trafikuara.
“Dua të ndaj disa vendime të rëndësishme. Programi i ndihmës ekonomike do të ketë një rritje të masës së ndihmës për të gjitha familjet në masën 10%. Do të ketë politika të shënjestruara për familjet që përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike; familjet me mbi tre fëmijë nën 18 vjeç do të ketë një rritje të ndihmës me dy herë.
Gjithashtu ministrja njoftoi se do të ketë rritje te pagave edhe për mjekët dhe infermierët nga 1 korriku i vitit 2022. “Do të ketë një rritje për pagat për personelin mjekësor, mjekë dhe infermierë. Vetëm për 2021 është rritur 40% e pagave për mjekët, ne do të vijojmë në 2022 me 6% rritje të pagës për mjekët dhe infermierët duke u futur në fuqi nga 1 korriku 2022”, tha Manastirliu.
Po ashtu, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi njoftoi rritjen e pagave për një kategori të policisë së shtetit.
“Dy lajme shumë të rëndësishme për policinë, i pari ka të bëjë me rritjen e pagave për ata punonjës që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit, që do ta çojë deri në 150% pagat për punonjësit që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit dhe lajmi i dytë shumë i rëndësishëm është rritja e konsiderueshme në policinë e shtetit në infrastrukturën dixhitale. Kjo do të rrisë efikasitetin në luftën kundër krimit” tha ai.
Ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja që njoftoi rritjen e pagave edhe për policinë e burgjeve dhe barazimin e gradave me punonjësit e policisë së shtetit.
Pasoi ministrja e Arsimit Evis Kushi, duke deklaruar se në vitin e dytë të mandatit të qeverisjes së socialistëve, pra në vitin 2022, pagat e mësuesve do të rriten me 6%.
“Dua të ndaj me ju lajmin e mirë për mësuesit dhe mësueset në të gjithë Shqipëri. Vitin e ardhshëm pagat do të rriten me 6%. Ky është hapi i parë i premtimit tonë që brenda këtij mandati pagat e mësuesve të rriten në 40%. Pagat nuk po rriten vetëm për mësuesin por edhe për punonjësit psiko-social në shkollat tona. /sarandacity.al/