Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër, dënoi me 37 vjet burg gjithsej Et’hem dhe Dino Muhaj, të akuzuar për vrasjen e Alket Muhaj(në foto) më 6 shtator të 2018 në fshatin Rabije në Memaliaj.
Vendimi është dhënë nga kryesuesja e seancës gjyqësore, Blerta Çibuku, e cila i dha fund mataronës trevjeçare gjyqësore në ngarkim të personave të mësipërm.
Seanca e fundit gjyqësore është mbajtur nën masa të rrepta sigurie, duke parë se prezentë në dhënien e vendimit kanë qenë familjarë dhe të afërm nga të dy familjet.
Më parë, prokurori i çështjes Julijan Çafka, në pretencën e tij, pati kërkuar nga 23 vjet burg për Et’hem dhe Dino Muhaj për kryerjen e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, nga 6 vjet burg për secilin për armëmbajtje pa leje dhe municione dhe nga 1 vit burg për mbajtje dhe prodhimit pa leje të armëve sportive dhe municioneve ku në total shkon nga 30 vjet burg për secilin.
Por me aplikimin e nenit 55/1 të Kodit Penal për caktimin e një dënimi të vetëm Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi nga 27 vite burgim për Et’hem dhe Dino Muhajn.
Pas shqyrtimit të të dhënave nga prokuroria dhe fjalës së mbrojtjes për të pandehurit, gjykatësja e çështjes Blerta Cibuku ka dhënë vendimin final për këtë ngjarje që tronditi në shtator të 2018 fshatin Rabije dhe mbarë zonën.
Gjykatësja Cibuku ka dhënë 20 vjet burgim për Et’hem Muhajn dhe 17 vjet burgim për të birin e tij Dino Muhajn.
Por ndërkohë, prindërit e Alketit të ndjerë kanë reaguar të nervozuar për vendimin.
“Gjykata dënoi kriminelët e vrasjes së djalit tim. Ata e kanë zbutur dënimin me ligj pasi e kanë nxjerrë të pafajshëm për armëmbajtje. Me çfarë e vranë ato djalin tim? Me shkop?
Gjyqtarja Blerta Çibuku është e korruptuar. Dhe Gjykata e Gjirokastrës është e korruptuar komplet. Një korruptim galopant”, ka thënë i ati.
“Për mbajtjen e armëve znj. Blerta Çibuku i ka nxjerrë të pafajshëm. Mua si nënë po bëhen 4 vite nuk më ka pyetur asnjë herë. Por na thoshte pusho mos fol. Ka vrarë zemrën e një nëne ashtu siç më vranë djalin e vetëm. Të vijë SPAK dhe ta pyesë gjyqtaren se me çfarë u vra”, tha nëna. /sarandacity.al/