Sipas një njoftimi të fundit nga Policia e Sarandës, është gjetur prej saj arma me të cilën u kërcënua noteri Thoma Kaçi. Fjala është për një kallash, me tytën e së cilës u grabitën një shumë parash në banesën e tij, sipas denoncimit të bërë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku dy persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetasit T. K. dhe nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje, si dhe një sasi municioni luftarak.
Arma e zjarrit është dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, me qëllim identifikimin me prova shkencore të dy autorëve të ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar. /sarandacity.al/