Nënë e bijë nga Saranda ndodhen prej muajsh në burgun e grave ne Tiranë të akuzuara për “dhune në familje”.
Fillimisht, në 12 korrik të këtij, viti në pranga ra Remilda Hajdinaj, 25-vjeçe. Nëna e saj, Dafina Hajdinaj e akuzoi atë për dhunë. Edhe pse 25-vjeçarja para Gjykatës kërkoi një masë më të lehtë sigurimi, pasi sipas saj ishte vetëmbrojtur ndaj veprimeve të nënës, e cila njëkohësisht rezulton me probleme mendore, Gjykata sërish e la në masën “Arrest në burg”.
Ndërkohë, në 11 gusht policia arrestoi edhe Dafina Hajdinajn. Ajo u akuzua per dhunimin e nënës dhe vëllait të saj.
Prej gushtit edhe ajo ndodhet në masën e sigurisë “Arrest ne burg”.
Pak ditë më parë, çështja e kësaj drame familjare është rikthyer në dyert e gjyqesorit të Sarandës.
Ka qenë 25-vjeçarja Remilda Hajdinaj që ka kërkuar lirimin nga qelia. Përmes përfaqesuesit ligjor, Hajdinaj ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” duke deklaruar dhe shpjeguar shkaqet që e shtynë të kryente këtë vepër penale duke u vetëmbrojtur; ajo ka treguar çdo veprim të detajuar se nuk ka kryer asgjë me paramendim, se ka qenë një veprim i çastit dhe jo i mirëmenduar. Përveç të tjerave, personi nën hetim është i penduar për veprimin që ka kryer dhe nuk do të përseritet më.
Sipas saj, ajo jeton bashkë me gjyshen e saj Ervehe Bejdullai pasi kjo e fundit është në moshën 75 vjeçe dhe ka nevojë për kujdesje, sepse është rritur me gjyshen e saj Ervehe dhe të dyja ndiejnë mungesen e njëra-tjetrës.
“Dafina ka jetuar dhe emigruar vite jashtë shtetit, në Francë, dhe Remilden ia besoi mamasë së saj Ervehes. Dafina ka probleme të çrregullimit mendor qëkur ka qenë e shtruar në spitalin e Francës dhe vazhdoi edhe në spitalin e Vlorës dhe sa herë kjo e fundit kthehej nga spitalet bënte sherre me të gjithë të shtëpisë, edhe me vajzën e saj edhe me nënën e saj Ervehen. Meqënëse aktualisht ajo ndodhet në burgun e grave Tiranë, kërkojme nga Gjykata të zëvëndësohet masa shtrënguese në një masë më të lehtë të kërkuar sipas objektit të mësiperm për të arrestuarën, pasi kjo e fundit jeton me gjyshen Ervehe Bejdullai. Pra, e arrestuara ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes kur Dafina ka krijuar dhunë edhe ndaj Remildës, edhe dhune në vazhdimësi ndaj nënës së saj Ervehe Bejdullai. Për shkak të rrethanave të faktit dhe e rritur jetime me gjyshen e saj, e arrestuara nuk ka rrezik të kryejë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilën procedohet. Gjyshja e saj Ervehe kërkon që të vihet drejtësi për mbesën e saj dhe të zbutet masa e dënimit, pasi i mungon se e ka rritur vetë. Gjithashtu, nisur edhe nga rreziku i pandemisë që jetojmë, në vazhdimësi i kërkohet Gjykatës të ketë në vëmendje të gjithë këtë situatë”, u shpreh para Gjykatës avokatja i 25-vjeçares.
Në gjykim, avokatja e kërkueses depozitoi si provë një “Deklaratë” me shkrim, e cila mban dt.14.07.2021, ku deklarohet se: “Unë, e nënshkruara Dafina Mestan Hajdinaj deklaroj si më poshtë: Tërheq denoncimin që kam bërë për vajzën time. Në atë moment që kam kryer denoncimin, kam qenë me ngarkesë psikike e mendore dhe e pandërgjegjshme. Sot jam shumë e përgjegjshme për gabimin dhe tërhiqem me plot vetëdijen time dhe pa asnjë imponim”.
Megjithëse Prokurorja Aurora Hajro prapësoi se nuk ka asnjë rrethanë të re si dhe asnjë provë që të mund të justifikojë zbutjen e masës së sigurimit, i të njëjtit mendim ishte edhe Gjyqtari Fatmir Ndreu që vendosi përfundimisht “Rrëzimin e kërkesës së personit nën hetim Remilda Aleksandër Hajdinaj, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”, në dëm të shtetases Dafinë Hajdinaj, parashikuar nga neni 130/a/3 i Kodit Penal, për zëvendësimin e masës së sigurimit të caktuar ndaj saj”. /sarandacity.al/