Në një fjalëmbatje para krerëve dhe efektivëve policorë në kuadër të Buxhetit 2022 për Policinë, kryeministri Rama tha se lufta kundër krimit do të jetë prioritet mbi prioritete në këtë mandat të tretë qeverisës.
“Prioritete e këtij mandati janë piketat e vendosura në çdo hap që ne hedhim. Lufta kundër krimit është prioriteti i prioriteteve, përfshirë të gjitha aspekte e saj dhe është një front ku është bërë progres i dukshëm, por ku ka ende shumë për të bërë dhe ku posaçërisht ndjehet ende mungesa e të njëjtit efikasitet, siç p.sh. ka pasur operacioni Forca e Ligjit apo në tërësi kjo pjesë e organizimit policor te lufta kundër krimit financiar, ekonomik”, tha Rama.
Ai gjithashtu e quajti të patolerueshme që Policia të mos ndërhynte për krimet në mjedis.
“E patolerueshme të ndodhin para syve të policisë krime në mjedis. E patolerueshme që efikasiteti më i lartë në krimet në mjedis të jetë në format e gjobave për njerëzit në fshatrat e thellë që ngrenë një avlli dhe jo ndaj atyre që hedhin beton në plazh“, theksoi i pari i qeverisë.
Ai foli sërish për satelitët e pritshëm, që sipas tij do jenë në avantazh për Policinë.
“Projekti tjetër do të jetë ai i satelitëve. Ne do të kemi në dispozicion të institucioneve shtetërore të dhëna në kohë reale çdo ditë. Policia e Shtetit do të ketë çdo ditë të dhëna për ndërtimet pa leje, vendgrumbullimet e paligjshme të plehrave, pra krimet mjedisore”. /sarandacity.al/