Ditë para se “Foltorja” e Berishës të zhvillohet në Sarandë, pra me ardhjen e këtij të fundit, është shfaqur një tension në PD-në lokale, sipas asaj çfarë informon dhe ka publikuar syri.net, një media afër Berishës.
Kjo media ka publikuar një komunikim të brendshëm, ku protagoniste është deputetja Ina Zhupa, e cila ka shfaqur një qëndrim të qartë pro Bashës, duke përdorur një thënie metaforike të future së fundi në fjalorin politik – “Suksese në jetë!”, thënë nga një figurë e mazhorancës dhe huazuar pra nga ai.
“Anëtari i Kryesisë së PD në Sarandë është kërcënuar sot nga deputetja e Lulzim Bashës, Ina Zhupa, për të cilën do flasim më vonë se çfarë ‘përfaqëson’, me largim nga Kryesia e PD nëse merr pjesë në ‘Foltoren’ e Sali Berishës”, shkruan Syri.
“Gjithçka ka ndodhur në grupin e WhatsApp-it të kryesisë së PD në degën e Sarandës”, sipas Syri-t, që shkruan më tej:
“Një prej anëtarëve të Kryesisë së degës lokale, Spiro Vaso ka njoftuar grupin se ditën e premte do të vizitojë qytetin e Sarandës lideri historik i PD, Sali Berisha i cili do të zhvillojë ‘Foltoren’ e radhës me demokratët.
Mirëpo, mesazhi nuk i ka pëlqyer deputetes Ina Zhupa, e cila në formë kërcënuese i ka ‘uruar’ anëtarit të Kryesisë ‘Suksese në jetë’, një term ky i përdor nga Ilir Beqaj i Edi Ramës, kur shkarkoi nga puna një anëtar të PS në Kukës, se nuk u paraqit në mbledhjen e partisë”, shkruan media në fjalë, e ashpër së fundi me Bashën dhe çdo mbështetës të tij. /sarandacity.al/