Kryeministri Rama preu shiritin e nisjes së punimeve të Tunelit të shumëpërfolur të Llogarasë, duke e cilësuar atë si një gjerdan investimesh rrugore të qeverisë së tij.
“Kjo është një ditë e shënuar në ditën e punëve të mëdha publike, sepse sot nis të realizohet në terren një ëndërr që e ka shoqëruar përgjatë të gjitha dekadave këtë zonë.
Ky tunel është pjesë e gjithë kësaj harte investimesh, të cilat po realizohen njëra pas tjetër duke krijuar hap as hapi një gjerdan në të tërë këtë kurorë të mrekullueshme të natyrës shqiptare”, tha i pari i qeverisë, duke vijuar të shpjegojë “pse”-në e këtij investimi infrastukturor.
“Ky tunel nuk na sjell vetëm më afër me jugun, por lidh të gjithë pjesën e padukshme të Labërisë, duke ofruar një infrastrukturë të re që krijon mundësi të reja për turizmin, zhvillimin e zonave rurale dhe për ekonominë.
Tuneli do të bëjë të mundur një shkurtim të konsiderueshme të kohës dhe sigurisë dhe një lidhje organike me segmentin tjetër që është në ndërtim e sipër ai i Orikumit dhe më pas me bypass-in e Vlorës që është drejt përfundimit me detaje e fundit për të qenë i hapur krejtësisht në sezonin e ardhshëm turistik, më pas në bypass-in e Fierit nëse shohim drejt veriut”, shpjegoi Rama.
Por sipas të parit të qeverisë, së bashku me segmentin e pritshëm Kardhiq – Delvinë, me Tunelin e Llogarasë hapet një tjetër perspektivë për Jugun.
“Nëse shohim drejt jugut, segmenti që lidh Palasën me Dhërmiun duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në një zonë që po njeh një zhvillim të konsiderueshme të ofertës turistike, duke shkuar edhe më poshtë me atë të Kardhiq-Delvinës, që shkurton kohën e lëvizjes përgjatë gjithë këtij pellgu duke afruar Sarandën me Vlorën dhe ofron turizëm në zonë që deri dje ishte e paaksesushme dhe e panjohur”, tha Rama. /sarandacity.al/