Të vdekshëm jemi dhe vdekjen kemi borxh. Por ka vdekje si kjo e Lutfi Bajramit, që, përveç dhimbjes familjare e njerëzore, hapin një hon të madh me ikjen e tyre, në disa kuptime. Shuarjen e Lutfiut e kam përjetuar si shembje të një biblioteke të dijes profesionale dhe intelektuale, si mbyllje të një përvoje së cilës ia kemi e do t’ia kemi nevojën.
E kam takuar Lutfiun në zyrë e në udhëtim; e kam gjetur të qetë apo të tensionuar, me nerva të tendosura apo në stres, të shqetësuar apo me arësye për të gëzuar. Korridoreve të zyrave apo korridoreve të fushave. Por në çdo situatë, nuk kam qenë i refuzuar për të më dhënë lëndën e parë të cilësisë së parë për atë që duhej shkruar në gazetë, për të mbjellat e të korrat, por edhe për të dështuarit; për pulsin e tokës, bimëve, pemëve apo gjësë së gjallë.
Mendimi i tij shkonte gjithnjë përtej asaj që dukej, përtej punëve dhe situatës së ditës. Shkonte sidomos përtej kornizëd së politikave e recetave strikte, që për Lutfiun ishin gjithnjë korniza që duheshin shpërthyer. E ai nuk përtonte ta bënte këtë, pa pyetur se si do të pritej dhe se çfarë pasoja mund të sillnin për atë vetë e për pozicionin e kryeagronomit. Lutfiu ishte nga të rrallët kuadro të ekonomisë moniste, që mbante post drejtues, pa mbajtur tesër partie.
Ishte nga të rrallët që guxonte dhe riskonte. Se ai nuk njihte tjetlr autoritet, veç autoritetit të shkencës bujqësore, ku vetë ishte një profesor i lindur e i kultivuar. Ku?
Ishte rrëmues në literaturën e pakët që hynte, dëgjues i pulsit të tokes e të bimeve dhe nxënës i bujqve e blegtorëve më të mirë, që Saranda nuk i kish të pakët. Bindja dhe argumentat shkencore ishin fuqia e tij. Fuqi për të aplikuar më të mirën, fuqi edhe për të refuzuar atë qe nuk ia mbushte mendjen, ngado që të vinte. Pa këtë fuqi, nuk do të mund të kuptohej dot që ai të refuzonte aplikimin e teknologjisë së mbjelljes së misrit me kubikë, edhe pse ajo vinte nga i pari që Partia kishte në Sarandë, nga ai që “kubiku” ishte bërë si mbiemër i tij i dytë.
Kolegu Sofo Mekshi kujton se në një moment të dytë, arriti të kuptojë se nomenklatura kishte gabuar duke e hequr Lutfiun, nga detyra e shefit të bujqësisë të rrethit. E kishin ndarë mendjen që të bënin hapa pas dhe ta rikthenin në detyrë. U ngarkua gazeta e partisë-shtet për ta bërë e para këtë rehabilitim, duke i kushtuar personalitetit të tij një faqe të tërë gazete. Kujtoj se portreti i tij, i botuar nën titullin “Shkencëtari i tokës Lutfi Bajrami”, firmosur nga Sofua, pati një pritje të jashtëzakonshme nga lexuesi. U mendua se kjo mjaftonte për të përgatitur rikthimin e Lutfiut në detyrë. Por Lutfiu nuk u tundua nga kjo dhe reagimi ishte gjithashtu i jashtëzakonshëm, në sensin e kundërt dhe jo ashtu siç pritej.
Karakteri burrëror e dinjitoz, sedra profesionale dhe integriteti njerëzor, bënë që Lutfi Bajrami të mos përdorej dot e të ndryshonte sipas stinëve të humorit të udhëheqjes. Ai kishte karakterin dhe humorin e tij dhe shikoi punën e tij. Pas viteve ’90, ai që ia dinte sekretin tokës dhe pemëve, e tregoi këtë në dynymët që kishte privatizuar. I ktheu ato në një bazë eksperimentuese e prodhuese. Për kënaqësinë e vet dhe si “palestër” vetiake.
Kam patur rast të vizitoj serrat e Lutfiut, ku prodhoi llojshmëri perimesh e rrush vreshti. Për vete, për miq, por tepronte edhe për treg. Tregojnë se me tregtarët spekullantë nuk i pati punët mirë qysh në përballjen e parë. Çoi sasitë e para të trangujve të rinj në market. Por ndodhi që shitësi, ende pa dalë Lutfiu nga marketi, nisi shitjen me çmim të trefishuar. Po ku ta falte Lutfiu këtë?! Ndaj nuk ia kurseu qortimin aty për aty. Dhe këtu nisi e këtu mbaroi kontakti me tregun.
Pak vite më parë Lutfiun e respektuar në mendim e në karakter, e ftova në studion e televizionit vendor “Riviera”. Me Lutfiun protagonist, realizova një emision të arrirë, për zhvillimet aktuale në ekonomi dhe në politikë. Opinioni publik e kishte të freskët staturën e tij si ish-drejtues i PD lokale në Sarandë. Por Lutfiu ishte aq i kthjellët e i thellë në mendim dhe po aq qortues për politikat dhe politikanët e atyre viteve!
Qeveriste e djathta ne vend e në rajon, por ai u shpreh me një paanësi të admirueshme e plot realizëm për politikat zhvillimore. Duke e përcjellë nga studjua, u kthye e më pyeti ai mua. Pyetja e tij ishte domethënëse: “Më thuaj, me cilën parti do të më bëjnë sarandiotët e mi e të tu, pasi të kenë parë këtë emision?”. – Me partinë e Sarandës, i thash. E atë impakt arriti.
Thoma Nika – /sarandacity.al/