Që nga e diela, në Sarandë e Delvinë do mbërrijnë sasitë e para të vaksinave kineze Sinovac, të cilat do shpërndahen në 9 qendra shëndetësore të Sarandës dhe 4 të Delvinës.
Sasia përkatëse do të jetë: 1200 për Sarandën dhe 470 për Delvinën.
Autoritetet lokale shëndetësore që e ofrojnë këtë të dhënë, thonë se stafet e vaksinimit janë në maksimum të përgatitjes së tyre për këtë proces.
Kategoria kryesore e atyre që do vaksinohen do jenë moshat mbi 70 vjeç.
Kujtomë se vaksinat kineze Sinovac u siguruan në sasi të mëdha nga Turqia, deri në 2 milion, përfshirë dhe ndërtimin e një fabrike në Shqipëri të destinuar për prodhimin e tyre.
Sasia e parë u soll të mërkurën në mbrëmje nga kryeministri Rama, i cili udhëtoi dhe u kthye nga Turqia pikërisht për sigurimin e sasisë në kuota kaq të larta.
Vaksina kineze Sinovac do jetë në Shqipëri krahas Pfizer-it e AstraZeneca-s, ndërkohë që dhe nje sasi Sputnik-u u dhurua nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Për efikasitetin e Sinovac-ut, kryeministri Rama ofroi si argument faktin se me këtë lloj vaksine po trajtohet e gjithë popullata turke, një vend që siç theksoi ai ka një mjekësi lider në botë, ndërkohë që veç Turqisë janë shumë vende të tjera në lindje dhe botën arabe që po vaksinohen me Sinovac.
Rama dha të kuptuase vaksinat kineze dhe ruse janë ende të pamundura në Perëndim jo për arsye mjekësore, të vërtetuara tashmë si efektive, por për arsye politike. /sarandacity.al/