Një familje shqiptare thuajse është shuar nga një aksident në Lamia të Greqisë. Makina e tyre tip Toyota është përplasur me një autoçisternë karburanti duke u shkatarruar dhe kthyer në një grusht hekurishtesh.
Nga përplasja, sipas mediave greke, kanë ndërruar jetë në vend burrë e grua, 46 dhe 43 vjeç, si edhe vajza e tyre 22 vjeçe. I gjallë nga makina e copëtuar është nxjerrë vetëm djali 17-vjeçar.
Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr mjekimin nga stafi i spitalit të Lamias.
Komuniteti lokal ka reaguar pas aksidentit tragjik, duke thënë se ky aks, sidomos në vendin pranë zonës që quajtur Domokos, njihet si zonë problematike nga banorët, të cilët janë bërë dëshmitarë të aksidenteve të ngjashme edhe më herët. Kjo, sipas përfaqësuesit të komunitetit të Koromilas, Dimitris Giataganas, për shkak të degradimit të rrugës.
“Për dekada këtu nuk ka ndodhur asnjë aksident, por së fundmi kemi parë një numër të madh aksidentesh fatale. Asfalti është degraduar dhe me shiun e parë kthehet në gjalp. Jemi me fat që nuk jemi vrarë deri më tani ne që e përdorim këtë rrugë çdo ditë”, u shpreh ai. /sarandacity.al/