Duke eksperimentuar një rast në Sarandë, pikërisht në “Foltoren” e së premtes, Fiks Fare ka arritur të sigurojë një rast abuzimi në procesin e mbledhjes së firmave për thirrjen e Kuvendin Kombëtar demokrat më 11 dhjetor 2021, një inisiativë e Berishës kjo, ku do tentohet rrëzimi i Bashës nga kreu i PD-së, për t’u rikthyer pikërisht Berisha.
Sipas asaj çfarë shfaqi Fiks Fare, u tregua se sa e lehtë ishte të firmosje dhe të plotësoje formularin pa qenë delegat, pa qenë anëtar i Kuvendit Kombëtar të PD-së dhe pa qenë as madje anëtar i kësaj force.
Gazetarja e Fiks-it plotësoi dhe firmosi pikërisht një formular që anëtarët e stafit të Berishës ua jepnin pjesëmarrësve, formular sipas të cilit çdo delegat mund të nënshkruajë për të kërkuar thirrjen e Kuvendit.
Kjo ndodhi në “Foltoren” e Sarandës, të premten më 12 nëntor, ku gazetarja e Fiks Fare firmosi pa hasur në asnjë pengesë përpara fillimit të takimit tek hotel “Mediterrane.
Askush nuk i kërkoi kartën e anëtarësimit apo verifikoi emrin e saj në listë. Mjaftoi karta e identitetit dhe një video që vetë anëtarët e stafit ia bënë në momentin e firmosjes së formularit.
Gazetarja kontaktoi me organizatorët e takimit të Berishës në Sarandë, të cilët vetprezanohen si anëtarë të Forumit Rinor të PD-së.
Ata e orientojnë të takojë një zonjë me emrin Manjola, e cila, sipas tyre ka edhe një zyrë arkitekturore në rrugën e dytë në Sarandë, ku mban edhe formularët e Berishës.
Më pas gazetares së Fiks-it i sjellin një formular, ku shënon gjeneralitetet e saj, deklaron se i përket seksionit 4 të PD-së, por nuk paraqet asnjë dokument tjetër që ta vërtetojë këtë dhe firmos formularin e gatshëm.
Madje gjatë firmosjes, organizatorët kërkojnë që ta filmojnë, në mënyrë që ta kenë si provë firmën e saj.
“Emrat e atyre guximtarëve që firmosën do të skaliten në muret e kohës si emrat e atyre që rivendosën pluralizmin politik”, deklaroi Berisha dy ditë më parë. Por sipas asaj çfarë shfaqi Fiks Fare, në këto lista firmosën edhe persona që nuk janë anëtarë të PD-së dhe as të FRD-së.
Tashmë, “beteja e firmave” në PD pritet të jetë dhe më e ashpër.