Kreu politik i Minoritetit në Jug, më saktë i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka kontestuar ndërtimin e areoportit të Sarandës, duke e përligjur qëndrimin e tij me faktin se shumë fshatra të Minoritetit mbeten ende të izoluara për shkak të infrastrukturës.
“Kush nuk i do portet dhe aeroportet.
A i keni garantuar ujë dhe gjëra të tjera elementare për të gjitha komunitetet në vend që flisni për satelitë?
Flisni ju zotërinj për aeroportin e Vrionit në Sarandë.
Por a e dini ju zotërinj se për të vajtur nga zona e rrëzës deri në qytetin e Sarandës duhet po aq kohë sa nga Tirana në Sarandë?
Çfarë do t’ju thoni ju banorëve të atyre zonave?
Çfarë do thoni zonave të Pogonit dhe Zagorisë që për të vajtur në Gjirokastër iu duhen 3 dhe 4 orë.
Përshkruani me tone fantazmagorike në një kohë që realiteti flet ndryshe”, tha Dule.
Gjithsesi, ky qëndrim nuk është apriori kundër ndërtimit të areoportit në Vrion, ose ndryshe Finiq.
Këtu ka dhe një paradoks, pasi kjo vepër është planifikuar të ndërtohet në një territor të Bashkisë Finiq. Por nga ana tjetër, është krejt e natyrshme që te fqinji kjo vepër të mos shihet me entuziazëm, pasi do i bën konkurencë direkte areoportit të Korfuzit. /sarandacity.al/