Kreu demokrat Basha ka arritur të parën fitore në betejën e Kuvendeve me Berishën, atë të krerëve lokalë. Thënë me gojën e krahut të tij djathtë, Gazmend Bardhi, pas një mbledhjeje me 71 vartës në bazë, vetëm 5 nuk i janë bindur. Ndër to nuk janë as Saranda e as Delvina.
Që do të thotë se në Kuvendin e 18-ës shpallur prej tij, do ketë pas vetes shumicën gati absolute të drejtuesve të bazës.
“Patëm një diskutim të gjatë dhe shumë të mirë me kolegjin e kryetarëve të Partisë Demokratike, i cili përbëhet nga 71 kryetarët e degëve të partisë, mbi organizimin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 18 dhjetor, ora 11 në Pallatin e Kongereseve.
Dua të ndaj me ju frymën e lartë të bashkëpunimit që përcolli secili prej kryetarëve të degëve.
Sigurisht që dua të jem transparent me ju dhe nëpërmjet jush me opinionin publik, me përjashtim të pesë kryetarëve të pesë degëve, të cilët raportuan për një shqetësim për degët që drejtonin. pra, 5 nga 71 kryetarë degësh, e gjithë pjesa tjetër e kryetarëve të degëve prezent në mbledhje, konfirmuan frymën e bashkimit që përcjell Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i 18 dhjetorit 2021”, tha Bardhi, nr. 2 i PD-së.
Po cilët janë këta të 5-të që nuk i janë bindur Bashës?
Më kryesori, Genc Deromemaj i Vlorës. Pas tij, Agron Loka i Fushë Krujës, Arben Miza i Devollit, Anton Pjetërnikaj i Paskuqanit dhe Fetah Hasani i Degës 1 Tiranë.
Sakaq, duke u ndaluar te Saranda, ndërsa dega e këtushme lokale duket se është rreshtuar krah Berishës, referuar firmave për Kuvendin e 11-ës, kreu i saj duket se ka ndjekur linjën zyrtare.
Po kështu dhe Delvina, ku jo publikisht, kryedemokrati i atyshëm ka një zhgënjim nga Berisha sa i takon luftës që po bën me “Foltoren”. /sarandacity.al/