Ina Zhupa ka reaguar më në fund në lidhje me atë që mbetet ende me pikëpyetje, nëse Sekretaren demokrate të Sarandës, Matilda Qurku, e shkarkuan apo u dorëhoq. Për znj. Zhupa, është kjo e dyta.
“Unë e kam në celular dorëheqjen e saj dhe unë vetë i kam kërkuar të mos e japë dorëheqjen. Mund t’ju them edhe arsyet pse e ka dhënë, por nuk dua të prek jetën e saj personale. Ashtu siç ia ka dërguar edhe kryetarit të PD-së dorëheqjen, nuk e ka tërhequr më. Ne jemi një parti serioze dhe nëse njeriu e mohon, nuk ka pse të bëhet viktimë”, tha Ina Zhupa.
Më tej, ajo qartazi u pozicionua kundër “Foltores”.
“‘Foltorja’ po i jep kosto PD-së dhe po na harxhon energji të brendshme dhe po ngarkojmë energji negative. Por kjo nuk është një zgjedhje e zotit Basha.
Pikërisht për ta zhbërë këtë, pavarësisht se ekzistonin apo jo firmat për Kuvendin Kombëtar, në zgjodhëm të mblidheshim në Kryesi. Dhe me qëllim për të dalë të bashkuar propozoi një Kuvend kombëtar ku delegatët mund të diskutojnë për problemet brenda PD-së”, tha deputetja Zhupa për “Kontrast” në Report TV. /sarandacity.al/