Agron Shehaj, vlonjati unik i PD-së, ish-konkurent me Bashën për t’i marrë kreun e partisë, njëherësh, marrësi më i madh i votave më 25 prill nga radhët e demokratëve, ka marrë inisiativë që të verifikojë firmat për Kuvendin e 11 Dhjetorit, pra “Foltores”, atyre që ndodhen në zyrën e Palokës.
Këto firma janë bërë dhe shkak plus për përplasje brenda PD-së.
Shehaj, rreth orës 15:00 shkoi në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, për të sqaruar vërtetësinë e firmave.
“Jam këtu për të verifikuar nëse listat ekzistojnë”, u tha Shehaj gazetarëve.
Pasi pa listat mori në telefon disa prej firmëtarëve të formularëve, ku një prej tyre i përkiste degës numër 5 në Tiranë.
“Kam ardhur për të verifikuar firmat. Më rezulton që ke firmosur. E konfirmon? Shumë mirë”, tha Shehaj ndërkohë që fliste në telefon.
Më pas, erdhi një reagim, përkatësisht nga degët 5 dhe 7 në Tiranë, ku thuhet se Shehaj dështoi t’i verifikojë firmat pasi “ai nuk e njeh bazën e partisë dhe nuk e respekton atë”.
Në reagim thuhet se “show” i Shehajt konfirmon se interesi i tij i vetëm është “protagonizmi personal”.
“Shoëwmediatik i Agron Shehajt me demokratët konfirmoi se interesi i tij i vetëm është protagonizmi personal.
Agron Shehaj dështoi të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë, as nuk e respekton atë.
Si drejtues politik i degëve 5 dhe 7 në Tiranë, Agron Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët që prej ditës që u zgjodh deputet”, thuhet në deklaratën reaguese. /sarandacity.al/