Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja paralajmëroi se bashkitë bregdetare mund të kenë telashe së afërmi, pikërisht për shkak të lejeve të ndërtimit të dhëna prej tyre.
Pas specifikuar se ku, veç Vlorës, ai tha se do ketë kallzime penale për rastet e shkeljeve në dhënien e lejeve.
“Në Vorë, një leje ndërtimi dhënë në rrugën që të çon në aeroport, pa përmbushur asnjë prej rregullave, për të cilën ka një kallëzim, kam urdhëruar ngrohjen enjë grupi inspektimi të posaçëm për të inspektuar rastet e tilla.
Konstatojmë një seri problematikash që meritojnë vëmendje të menjëhershme të bashkive. Jemi duke trajtuar disa raste abuzime të rifreskimit të lejeve zhvillimore në bashkitë bregdetare dhe nëse do konstatojmë shkelje të ligjit për planifikimin e territorit nuk do hezitojmë të kallëzojmë penalisht personat përgjegjës.
Bashkitë duhet të ndërpresin menjëherë dhe të mos zgjasin lejet e ndërtimit të dhëna shumë kohë më parë dhe që nuk janë përmbushur brenda afateve të përcaktuara”, tha Manja.
Sipas tij, “rivendosja në afat e lejeve të ndërtimit të skaduara është e papranueshme”.
“Një gjykatë nuk mundet të japë leje ndërtimi apo të shty vlefshmërinë e saj sepse merr atribute të një organi tjetër siç janë kryetarët e bashkive apo këshilli kombëtar i rregullimit të territorit. E paimagjinueshme që në vitin 2021 Gjykata merr përsipër të zgjasë apo ripërtëri një leje ndërtimi të dhënë nga Bashkia në vitin 2005, ku rregullat kanë ndryshuar”, arsyetoi ai. /sarandacity.al/