Ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se SHBA po ndërmerr hapa shtesë për të parandaluar korrupsionin.
Në Twitter, ajo shkroi se, korrupsioni është kancer dhe se autoritetet në SHBA po punojnë për të luftuar financimin e paligjshëm të personave të korruptuar.
“Korrupsioni është kancer. SHBA po ndërmerr hapa shtesë për të parandaluar korrupsionin, për të luftuar financimin e paligjshëm, për të mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar dhe për të forcuar kapacitetin për të ekspozuar aktet korruptive”, theksoi e besuara amerikane në Shqipëri, duke përcjellë lajmet më të fundit nga Shtëpia e Bardhë ku sot administrata Biden shpalli strategjinë kundër korrupsionit që mendohet të trajtojë dy zbrazëti kryesore të pastrimit të parave në SHBA dhe në botë, që janë transaksionet e dyshimta të pasurive të paluajtshme dhe përdorimin e kompanive guaskë.
Administrata amerikane synon gjithashtu të forcojë kontrollet dhe sanksione ndaj njerëzve që lehtësojnë korrupsionin dhe pastrimin e parave si avokatë, kontabilistë, truste, ofruesit e shërbimeve të biznesit e tjerë.
Plani parashikon gjithashtu të ndihmojë vendet e huaja për të forcuar sistemet e tyre të monitorimit dhe rregullimin dhe mbrojtjen e gazetarëve investigativë që zbulojnë korrupsionin. /sarandacity.al/