Adem Rusi është i burgosuri shqiptar që u vetëvarr me lidhëse këpucësh në një automjet burgu pak ditë më parë në Greqi. Sipas të vëllait që ka folur së fundi për rastin, Shkëlqim Rusi, kjo nuk është e mundur.
“Unë kisha folur tre orë para ngjarjes me vëllanë në mënyrë private, më pas më morën në telefon dhe më thanë se e kemi dërguar në spital për vizitë mjekësore rutinë.
Pastaj më thanë që kish pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali vari veten me lidhësen e këpucëve. Kjo për mua është e papranueshme është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin.
Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetëvrasje, atë e kanë vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar.
Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjellën e furgonit.
Kjo është e papranueshme. Nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke”, tha ai, duke kërkuar që kjo çështje të zgjidhet ndryshe.
“Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë. Të bëhet autopsia pasi shteti ynë vetëm fle gjumë. Kemi shkuar në prokurorinë tonë dhe më kanë thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush se merr përsipër, nuk duan belara, nuk di ç’të them. Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor. Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta”, tha Shkëlqim Rusi.
Ngjarja ndodhi pak ditë më parë teksa i burgosuri shqiptar po transportohej nga spitali në burgun e Malandrinos, aty ku vuante dënimin. /sarandacity.al/