Publiku shqiptar është në ditët ku debati publik sillet rreth ngjarjeve të Dhjetorit ’90, që nga nisja e rebelimit studentor më 8 dhjetor të 90-ës, e deri te themelimi pak ditë më pas i PD-së.
Dhe pothuajse janë të njëjtat gjëra që thuhen në analizat përkatëse, përgjithësisht gjykime klisheiste.
Edi Rama, prej 8 vitesh kryeministër, ndër aktorët kryesorë të asaj kohe, si dhe vite më vonë zëri më i fortë publik në kriticizmin e vet unik prej elokuencës ligjërimore në trajtimin e post-kumunizmit, i ka bërë një përshkrim me pak fjalë asaj që pasoi lëvizjen dhjetoriste. Është një përshkrim që ka brenda dhe një parashikim mbi atë që do të ndodhte, ku e majta rikthehet potente pikërisht nga zhgënjimi prej PD-së.
“Tronditem vetëm e vetëm për faktin se dëshira që i nxorri në rrugë të rinjtë e 90-ës, u zhyt në baltën e realitetit shqiptar pa mundur të iniciojë një reformë në mentalitet, mbeti një fije frymë e mbytur e gërhitjes së rëndë të shoqërisë shqiptare, e cila sipas të gjitha gjasave do të kthehet nga e djathta në të majtë jo për t’u zgjuar nga gjumi, por thjesht se nuk duron dot më dyshekun me kashtë të demokratëve.
Kjo është dhe përgjegjësia e madhe historike e Partisë Demokratike, e cila luftoi të renë më armët ë së vjetrës…”, janë fjalët e Ramës në mes të viteve ’90, kohë kur PD kishte marrë pushtetin.
Dhe sot, duke parë atë që ndodhi në vite, atë që është realiteti politik aktual, me PD-në gati drej shkërmoqjes dhe PS-në në zenith pushteti, fjalët e ish-publicisti të forte, sot politikan i fortë, kanë një koherencë të mahnitshme.
Do mjaftonin këto fjalë në një përkujtimore demokratësh te Art Turbina, aty ku qe Basha, që sidomos ky i fundit, të sforcohej për të thënë ndonjë gjë të mençur që zakonisht nuk e thotë kurrë. /sarandacity.al/