Kryeministri Rama kërkoi hetime të thelluara në lidhje me rrjedhjen e një database me pagat e mbi 630 mijë shqiptarëve, pjesë e të dhënave të personale, duke aluduar se bëhet fjalë për një skenar destabiliteti.
“Mendoj çdo inspektor që ka akses në sistemin e pagave dhe çdo inspektor që ka pasur akses nga janari deri në sot duhet të merret në hetim. Edhe ata që bëjnë kërcënime nga Foltoret.
Ka edhe një element tjetër: që kjo bazë ka dalë në Tik Tok para shumë muajsh, por nuk është përdorur. Është përdorur tani. Pse përdoret tani dhe pse zëdhënës të ‘non gratave’ paralajmërojnë të tjera?
Kjo është dorë në kërkim të konfuzionit dhe destabilizimit në sensin e pasigurisë publike. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Mbase këtë gjë e ka nxitur që ne për disa javë me radhë kemi ndërmarrë një tur sensibilizim që do mbyllen sportelet. Por ne do ta bëjmë këtë gjë. Nuk do na pengojnë këta që hedhin gurin dhe fshehin dorën.
Ky është një rast domethënës deri ku mund të shkojnë njerëz dhe forca të caktuar kundër qytetarëve për qëllimet e tyre”, arsyetoi i pari i qeverisë.
Nga ana tjetër, ai tha se nuk do ketë ndonjë dorëheqje për rastin në fjalë, duke sjellë për krahasim atë që ka ndodhur dhe me superfuqinë e botës.
“Që të jemi shumë të qartë: SHBA-së i dolën në rrugë të gjitha sekretet, nuk di të ketë pasur ndonjë dorëheqje. Kështu që tjetër është kur gjërat ndodhin si rezultat i një dështimi të sistemit ose si rezultat i një vepre sikur ishte rasti i të ndjerit Klodian Rasha dhe komplet tjetër kur gjendemi përpara sulmeve”, theksoi Rama.
Për më tepër, ai u shpreh i gatshëm që të paraqitet në Prokurori për rastin nëse do e thërrasin.
“Unë e kam një opinion shumë të qartë: nëse prokuroria ka dëshirë ta dëgjojë opinionin tim, jam gati t’ia them, nuk e them publikisht se nuk dua të bëj politikë.
Unë e kam shumë të qartë se përse mund t’ju duhen pagat atyre që kanë hedhur në treg databazën e patronazhistëve” tha kryeministri. /sarandacity.al/