Berisha i ka mveshur epitetin më të rëndë Bashës deri më tani, ç’prej kur “babë e bir”, pra politikë si të tillë, u shndërruan sakaq në hasëm me njëri-tjetrin.
Për ish-të parin e PD-së, pasardhësi i tij, më saktë trashëgimtari i partisë, doli “farë e keqe”, një shprehje kjo që të kujton një batutë në filmin “Pylli i lirisë”, ku prifti e quan të tillë të ëmën e Vlashit, pasi i thotë që po ia shuan vatrën Kozmait duke i bërë fëmijët komunistë. E nis me “për ku kështu moj e Kozmait” dhe e përfundon me “Ptuuu, farë e keqe”.
Ai e tha këtë në Fier, në një aktivitet për 31-vjetorin e themelimit të PD-së së atyshme.
“Njeriu që demokratët i besuan drejtimin solli forcën tonë politike nga humbja në humbje. Ai dështoi në cdo nismë që mori në 8 vite. Ai nuk u bë kurrë lideri i besueshëm. ‘Fara e keqe, e tillë mbetet’, e thotë populli me mençuri.
Dje më pyeste një mik: si ka mundësi ky njeri? Asnjë mundësi nuk ka, veçse ishte një farë e keqe që ne nuk e kuptuam. Asnjëri njeri nuk ka shfaqur standardet e ulëta morale politike të këtij njeriu në 30 vite.
Ai dëshmoi se është i zhveshur nga cdo parim dhe se është gati që për karrigen e tij të bëjë gjithçka, pasi kaloi nga humbja në humbje 8 vite. U thotë shqiptarëve më ndiqni ‘se jam e ardhmja’, por ai është humbja, humbja, humbja”, tha Berisha në stilin e tij të ashpër. /sarandacity.al/