Teksa ulesh në kafenë e Spiro Buzukës, përpara të shfaqet panorama e bukur e Vurgut, një peizazh madhështor dhe mahnitës, deri te liqeni i Butrintit e me tej, edhe ishulli i Korfuzit.
Liviniotët janë punëtorë e patriotë, dhe me besë gjithashtu. Dihet raasti ku labi historik Selam Musa vlerësoi burrërinë e tyre dhe kish madje një vëllamë nga ky fshat, Dhimitër Papën.
Ndofta është i vetmi fshat në jug që nuk e ka shkulur mendjen nga vendlindja. Më të shumtit punojnë sezonalë në Greqi e kthehen në shtëpitë e tyre, në katandinë e tyre.
Duke pirë kafe me Petro Katranin, këtë burrë të moshuar, më thotë se në këtë shesh të bukur me kishën afër nuk sheh edhe tre emra të gdhendur që u bënë therror për fshatin, që ai të mbetej i panënshtruar.
“E kam merak”, më thotë, “u thashë edhe me të rinjve: historia të jetë busullë dhe frymëzuese për brezat e rinj. Të dinë se të parët tanë ishin të besës dhe e donin fshatin e tyre”.
Dhe fjalën Petroja na e çon që në vitet 1825 kur fshatin e tyre e donin agallarët e Delvinës. “Donin ta bënin çiflik. Po liviniotët ishin të patundur, të panënshtruar si mali në të cilën ishin rrënjosur.
“E thirrën”, vazhdon ai, kryesinë e atëhershme, Nikolla Kuçuqin, Stefan Valera, Jani Stillon në Delvinë, me lajka e premtime qe të firmosnin që fshati të kthehej çiflik. Nuk e pranuan që nuk e pranuan. Si Braçka në Dhrovjan kur e thirri Ali Pasha të firmos e ai nuk paranoi. Dhe kur i prenë kokën, koka akoma fliste: ‘Nuk firmos!’. Por të tre të kryesisë së Livinës iu zunë pritë në Adeliko, qafën e Delvinës. I therrën dhe i lanë aty. Gratë liviniote i mbështollën në batanie, i ngarkuan dhe i sollën në fshat. Livina ngeli e panënshtruar. Erdhën të vrasin edhe kryeplakun. Ai iku natën malit me ca florinj mbledhur nga fshatit drejt Stambollit. Me një mik të Aliut që e joshi, mori fermanin…
A nuk ia vlen këtu në qendër të fshatit t’i kemi emrat e tyre që u bënë therror për fshatin dhe një shembull burrërie e krenarie e mosnënshtrimit të fshatit tonë?”, më pyet Petroja.
Panajot Boli – /sarandacit.al/