Në të parin reagim pas vendimit të kryesisë demokrate që e përjashton përfundimisht nga PD, Berisha tha se nuk e njeh fare këtë vendim.
“Vendimet e ‘Lul kimikut’ janë inekzistente. Ne i kemi shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Ai është kryetari i Ramës. Nuk është çështje selie apo zyre, është çështje jetike e pluralizmit politik në Shqipëri.
Nga e hëna e tutje në parlament do te jetë një zë i fuqishëm. Ne i kemi të gjithë vendet në parlament. Ne nuk lëvizim nga pozicionet tona”, tha Berisha në një prononcim televiziv në mbrëmje.
Ai nuk përmendi më marrjen e selisë, por tha se do kandidonte për kryetar në garën më të afërt për kreun e PD-së.
“Gara do hapet. Do njoftojë Komisionin dhe do jetë gara më e mirë. Do shohësh një betejë për të vërtetën.
A mund ta imagjinosh Berishën të ndërmarrë gjithë këtë lëvizje dhe të mos ketë besim? Ta ketë bërë këtë për lëvizje false dhe t’i thotë shqiptarëve unë nuk do kandidoj?
Unë jam njeri i bindjeve të lira. Do jem njëri nga kandidatët”. /sarandacity.al/