Në një fjalëmbajtje para të rinjve në 30-vjetorin e FRESH-it, Rama ka zgjedhur të filozofojë mbi politikën, duke marrë referenca dhe nga Platoni i Greqisë së lashtë.
“Fjala ‘politikë’ ka hyrë në fjalorin e fjalëve të pista dhe politikanët në një kategori të mallkuar gjerësisht në të gjitha bisedat dhe shkarravitjet mbi muret e rrjetit të metrosë sociale aty ku friends-at hyjnë e dalin pa ndërprerje në lëvizje pa busull e drejtim.
Politika shkelet me këmbë ndërkohë që është mundësia e vetme për orientimin kolektiv që ne trashëgojmë nga historia e njerëzimit”, tha Rama, duke vijuar: “Politika lidhet drejtpërdrejt me kërkimin e të mirës.
Platoni e përkufizonte si art mbretëror, ai shpjegon një nga mitet më të famshme të antikitetit grek atë të Prometeut.
Politika konsiderohej në ato kohëra si themeltare për njerëzimin si përmasa natyrale për njeriun.
Politika u dha mundësinë njerëzve që të jepnin e merrnin me njëri-tjetrin dhe të trajtonin çështjet e bashkëekzistencës së tyre dhe zgjidhjen e problemeve të përbashkëta që të vetëm nuk i zgjidhnin dot”, ishte arsyetimi i të parit të qeverisjes. /sarandacity.al/