Kryeministri Rama dha sinjalin e parë të një fushatë elektorale në pritje, asaj për zgjedhje të pjesshme vendore në 6 bashki, duke i bërë një vizatim ironik opozitës.
“Të gjithë kundër të gjithëve për të provuar forcat mes të gjithëve. Dy Parti Demokratike, njëra më e madhe se tjetra dhe një tjetër parti me e madhe se të dyja bashkë!
Tre liderë: njëri grata, tjetri non grata, i treti të dyja bashkë edhe grata edhe non grata.
Tre popuj pas tyre: populli i 11 dhjetorit, i 18 dhjetorit dhe i 2 marsit, ky treti i vërteti që merr jetë mes të parit dhe të dytit. Kjo është oferta për demokratët dhe për të gjithë ato që e quajnë veten pjesë të këtyre tre popujve, ndërkohë që populli është i qartë për çfarë sheh. Në emër të këtyre tre popujve do të thirren 6 fushata”, tha Rama në një takim me grupin socialist në nisje të sezonit të ri parlamentar.
Aty, ai veçoi dhe zgjedhjet e presidentit të ri.
“Në muajin prill do të zgjedhim Presidentin e Republikës.
Krijimi i dy Partive Demokratike na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku duhet ta kërkojmë dialogun me opozitën. Por ne duhet të mendojmë edhe mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Duhet të marrim opinionet e njerëzve për figurën e Presidentit të Republikës, pas disa figurave që e kanë degraduar figurën e kreut të shtetit.
Ne duhet t’i japim shqiptarëve një njeri moral, që t’i kthejë identitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës. Do ta gjejmë këtu brenda territorit tonë, por edhe territorit shpirtëror të kombit shqiptar, se mund të jetë edhe jashtë Shqipërisë. Por detyrimin e kemi të zgjedhim një njeri normal.
Prandaj unë do t’ju lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens. Dhe kushdo që ka ndonjë ide ta ndajë atë me drejtuesit e grupit”, tha Rama. /sarandacity.al/